E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni Ndërparlamentar (IPU) organizon për herë të parë në Shqipëri, konferencën Roli i Parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.

   

Sekretari i  Përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss: "Parlamenti i  Shqipërisë me seancat e hapura me fëmijët,  po informon ata  në mënyrë të suksesshme, për të drejtat e tyre

  Lufta kundër trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve mblodhi sot për herë të parë  në Tiranë,  Rrjetin e parlamentarëve të Rrajonit, nën organizimin e  Kuvendit të Shqipërisë dhe UNICEF.
  Konferenca   me temë " Roli i Parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve, filloi sot punimet dy ditore, nën mbështetjen e veçantë të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, me pjesëmarrjen e deputetëve të Parlamenteve të rrajonit, Kuvendit të Shqipërisë, Avokati i Popullit, zëvendësministra, organizatave ndërkombëtare dhe vendase për mbrojtjen e  të drejtave të fëmijëve, përfaqësues të stafeve akademike, dhe shoqërisë civile.
Në hapjen e punimeve Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falenderoi dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë Unionin Ndërparlamentar që përzgjodhi Tiranën për zhvillimin e kësaj konference me temë shumë të prekshmë për shoqërinë.
"Sot, unë ndihem vërtet shumë e nderuar që Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me IPU dhe UNICEF mirëpret në Tiranë, parlamentarë të vendeve të rajonit për një temë kaq thelbësore dhe humane që duhet të jetë prioritet në axhendën parlamentare : FËMIJËT. Ata që kanë të drejtën të nisin bukur jetën, e të mos përjetojnë një fëmijëri pa fëmijëri"- u shpreh Kryetarja e Kuvendit.   Duke shpjeguar rolin e Kuvendit të Shqipërisë dhe angazhimit të saj personal,  në fushatën  kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe kundër dhunës në familje, Kryetarja e Kuvendit tha se vetëm gjatë periudhës 20052007, janë nënshkruar dhe ratifikuar 14 marrëveshje dhe konventa për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në fushat e drejtësisë, kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes së viktimave fëmijë, të trafikimit.   Shumë shpejt do të ratifikohet Konventa e Këshillit të Europës për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual dhe abuzimi seksual.
 Këto çështje do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet hartimit të një  ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, proces i cili sapo ka filluar, në përshtatje me standartet ndërkombëtare dhe të BE.   Kryetarja e Kuvendit në fund të fjalës së saj ftoi parlamentarët e rrajonit të krijojnë një rrjet rajonal për mbrojtjen e fëmijëve, i cili të  koordinojë politikat dhe strategjitë, në këtë fushë.   Më tej e mori fjalën Sekretari i  përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss, i ftuar i veçantë i Kryetares së Kuvendit në këtë konferencë, i cili drejton programet e IPU, në konsolidimin e parlamentarizimit dhe demokracisë në rrajon.   Ai njihet për rolin e tij aktiv në Kombet e Bashkuara në  fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe veçanërisht të fëmijëve dhe, si autoritet të lartë  zyrtar i  UNHCR në rrajonet e konflikteve të vështira  si Pakistan, Honduras,  Sudan etj , në mbrojtje të refugjatëve.   Në fjalën e tij Sekretari i  përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss falenderoi dhe përgëzoi në mënyrë të veçantë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina  Topalli për fushatën aktive në mbrojtje të fëmijëve dhe sensibilizimit kundër dhunës në familje.   "Vlerësoj iniciativën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për mbajtjen e seancave të hapura me fëmijët, ku ata pyesin dhe informohen për të drejtat e tyre dhe funksionimin e parlamentarizimit në tërësi. Hartimi i ligjeve  për mbrojtjen e fëmijëve do të kishte kuptim vetëm nëse ju dëgjoni fëmijët. Kjo nënkupton informimin e tyre për ligjet që janë në diskutim dhe ti ftosh ata të kontribuojnë në këtë debat. Parlamenti i  Shqipëri po e bën këtë, në mënyrë të sukseshme "- tha zoti Johnss.   Sekretari i  Përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss vuri theksin tek rëndësia e punës së legjislativit në mbrojtje të drejtave të fëmijëve.   Në Parlament ju duhet të flisni që këtë, ta bëni një çështje të dukshme kombëtare. Ju mund të ushtroni trysni në qeverisjen tuaj, mund të vendosni objektiva dhe të punoni për hartimin e planeve kombëtare të veprimit dhe të siguroni që qeveria juaj të japë llogari për kryerjen e këtyre planeve iu drejtua parlamentarëve të rrajonit në Konferencë,  Sekretari i  Përgjithshëm i  IPU-së, Anders Johnss.   Konferencën e përshëndeti përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri i cili falenderoi mbështetjen që Kryetarja e Kuvendit i jep fushatës kombëtare në mbrojtje të fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të tyre.
UNICEF po punon ngushtësisht me Kuvendin e Shqipërisë dhe ka gjetur mbështetjen e plotë të Kryetares së Kuvendit në mbrojtjen e fëmijëve. Ne mendojmë se mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon një koordinim harmonik mes komunitetit të prindërve, niveleve të ndryshme të pushteteve, shoqërisë civile, dhe gjithë aktorëve të tjerë.- deklaroi përfaqësuesi i UNICEF.   Në sesionet e punimeve të ditës së parë, e morën fjalën Avokati i Popullit, Ermir Dobiani, Zëvendësministria e Brendshme Iva Zajmi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prenci.   Autoritetet e larta të institucioneve shqiptare vunë theksin se ende mbeten të pamjaftueshme sanksionet penale dhe masat ndërshkuese për trafikantet e fëmijëve dhe personave që dhunojnë ata.
Megjithatë ky vit ka shënuar statisktika shumë të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme të denoncimit të dhunës në familje, ku përfshihet dhe ajo ndaj fëmijëve. Komuniteti po ndërgjegjësohet gjithëjnë e më shumë për rolin aktiv që luan policia në luftën kundër dhunës dhe trafikimit të qënieve njerëzorë tha ndër të tjera Drejtori i Përgjitshëm i Policisë Ahmet Prenci.   Avokati i popullit ngriti ndër të tjera dhe problemin e trajtimit të minorenëve në sistemin e burgjeve shqiptare, ku theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave legjislative në këtë drejtim.   Në ditën e parë të punimeve të Konferences Roli i Parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve deputetë të Parlamenteve të rrajonit,si dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile referuan për çështje të ndryshme që lidhen me trafikimin e fëmijëve si mentaliteti i shoqërisë, trafikimi seksual i fëmijëve në zhvillimin e turizmit, teknologjisë si dhe shkëmbyen ide mbi eksperiencat e tyre parlamentare në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
                                 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›