E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptar dënon atentatin ndaj gazetarëve kroat

 

TIRANË - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë aktin terrorist, si pasojë e të cilit nga shpërthimi i një bombe gjetën vdekjen kolegu i shquar kroat Ivo Pukanic dhe shefi i marketingut Niko Franjic. Në një deklaratë për mediat kryetari i kësaj shoqatë Aleksandër Çipa deklaron se “ky akt terrorist mbi një gazetar të profilit të lartë, shënon një sulm të drejtëpërdrejtë të krimit mbi profesionin e gazetarisë në krejt rajonin e Ballkanit”.
Sipas kreut të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë nga ky krim kërcënohen të gjithë gazetarët e guximshëm dhe të përgjegjshëm për kontribut në rajonin tonë. “Krimi me këtë akt tronditës, kërkon të sfidojë pushtetin e katërt dhe gjithë pushtetet që garantojnë sistemin e demokracisë në një rajon që jeton ende periudhën e fundit të tranzicionit postkomunist”, shprehet Çipa.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe bashkëkolegët e gazetarit dhe punonjësit tjetër të medias kroate dhe shpall solidaritetin e vet publik. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vlerëson lart kontributin dhe shpreh mirënjohjen për vlerat profesionale të kolegut të martirizuar për shkak të detyrës”, përfundon reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë mbi vrasjen e dy gazetarëve kroat dy ditë më parë.
(a.s/Balkanweb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›