E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riker: McCain apo Obama, SHBA mike me Maqedoninë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne Shkup, Filip Riker, deklaroi sot se zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e mira mes SHBA dhe Maqedonisë. Riker tha se pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet në Amerikë, Barak Obama apo Xhon McCain, SHBA do të jetë mbështetësi më i fuqishëm i Maqedonisë për hyrjen e saj në NATO. Komentet e ambasadorit amerikan në Maqedoni janë dhënë gjatë një ceremonie të organizuar për ushtarët e Armatës së Maqedonisë që kanë marrë pjesë në misionin paqësor në Irak. 

SHKUP – Pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale amerikane, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë nuk do të ndryshojnë. Kjo ka qenë deklarata e sotme e ambasadorit amerikan në Shkup Filip Riker i cili deklaroi se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe SHBA-ve do të vazhdojnë të mbeten shumë të mira.

“Të dy kandidatët për president, senatori republikan McCain dhe senatori demokrat Obama janë proamerikan dhe e dijnë se çka është më mirë për interesat amerikane në botë. Jemi të sigurt se marrëdhëniet e afërta me Maqedoninë janë të mira edhe për ne”, deklaroi ambasadori amerikan në Maqedoni, Filip Riker. Ai nënvijëzoi se SHBA-të dëshirojnë që Maqedoninë ta shohin në Aleancën Veriatlantike.

Ne jemi mbështetësit më të fuqishëm për hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe inkurajojmë zgjidhjen e problemit të vetëm që ka ngelur që anëtarësimi të bëhet realitet”, deklaroi ambasadori amerikan Riker. Po këtë gjë ka deklaruar dje edhe presidenti i Amerikës Xhorxh W.Bush gjatë ceremonisë për firmosjen e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Bush tha se shpresonte shumë që së shpejti edhe Maqedonia të bëhej pjesë e “tryezës” së NATO-s.

Komentet e ambasadorit amerikan në Maqedoni janë dhënë gjatë një ceremonie të organizuar për ushtarët e Armatës së Maqedonisë që kanë marrë pjesë në misionin paqësor në Irak.
(a.s/Balkanweb/INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›