“Orikumi”, Berisha, Ramës: Do të mbaj premtimin
Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj dje akuzave të Edi Ramës për mosmbajtje të premtimit për tokat e fermerëve të Orikumit. Berisha bëri të ditur se mazhoranca qeverisëse do ta miratojë ligjin, duke e akuzuar atë se për shkak të manovrës politike të përdorur prej Ramës e dështoi atë. Por, ai kritikoi edhe sjelljen e Ramës me banorët e Orikumit, duke i kujtuar se ishte ai që duhej të dilte jashtë dhe jo banorët e Orikumit. “Dy ditë më parë po ndiqja përmes ekranit të televizionit një takim të kryetarit të opozitës. Me nervozizëm ai nxori njerëz jashtë nga salla. I them se kjo nuk është praktikë produktive. Vërtetë ti përdor pushtetin për të nxjerrë këtë apo atë nga salla, por e vërteta është se në opinionin publik ndodh e kundërta. Kur e përdor dhunshëm pushtetin, je ti që del nga salla, prandaj rri i qetë. U tha qytetarëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimin”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri e garantoi z. Rama se do të mbajë çdo premtim. “Atë premtim, - tha ai, - që kam bërë për tokat e fermave, atë e kam dekretuar dhe, në radhë të parë, i dal zot vetes time”. “Unë, - shtoi Berisha, - si President i Republikës bëra dekretin, e kam bërë me vetëdijen më të plotë dhe bëra ligjin. Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumicë do ta kalonte atë ligj. Ai premtim nuk është bërë vetëm në Orikum, është bërë në Ksamil dhe në shumë vende të tjera dhe do të mbahet. Ai nga njëra anë u kujton premtimin tim dhe nga ana tjetër i nxjerr jashtë. Të mos nxjerrë njerëz nga salla. Ato çfarë kam premtuar, unë do t’i zbatoj”, - deklaroi z. Berisha.