E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i karburanteve ulet 5 lekë

20/05/2011  Reagon me vonesë tregu vendas, pas rënies në bursat ndërkombëtare

Nafta shitet me 168 lekë/litër dhe benzina me 169 lekë/litër

Edhe pse me vonesë çmimet e karburanteve kanë nisur të bien edhe në tregun vendas. Prej më shumë se disa javësh në tregjet ndërkombëtare çmimi i shitjes së naftës bruto ka pësuar rënie të njëpasnjëshme, gjë që nuk u reflektua në pikat e shitjes së karburanteve në Shqipëri. Reagimi i parë i tregtarëve me pakicë në vend gjithsesi është i ndjeshëm për xhepat e konsumatorëve, për shkak se bëhet fjalë për një ulje me rreth 5 lekë për naftën dhe benzinën.

Reagimi në tregun vendas

Çmimi i diezelit 10 ppm arriti në 168 nga 173 lekë/litër, ndërsa çmimi i benzinës 95 oktanë arriti në 169 lekë për litër nga 174 lekë/litër që ishte përpara pak ditësh. Importuesit e karburanteve e justifikojnë vonesën pjesërisht me stokun aktual që kishin depozituar pikat e karburantit, i cili sipas tyre është blerë me çmime më të larta gjatë periudhave të mëparshme në bursat e huaja. Reagimi i tregut vendas ndaj uljeve të vazhdueshme të çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare duket se nuk do të jetë shumë i gjatë, pasi në tregun e huaj është rikuperuar rënia në sesionet e dy javëve të fundit, edhe pse me ritme më të ulëta.

Nafta në botë

Dy ditë më parë nafta bruto amerikane është treguar mbi 98 dollarë për fuçi, duke ndalur rënien në dy sesionet e fundit. Sipas të dhënave të bursave, rritja është më shumë se 1 dollar për fuçi. Rritja e vlerës së naftës bruto mbështetet nga rënia surprizë e stokut të benzinës në javën e kaluar duke shuar të gjitha shqetësimet se çmimi i lartë do të pakësojë konsumin në konsumatorin e parë të energjisë në botë dhe në kulmin e sezonit të udhëtimeve. Çmimet janë mbështetur edhe nga dobësimi në të gjithë tabelën e dollarit amerikan, megjithatë problemet e borxhit në Evropë dhe të dhënat nga Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar optimizmin e investitorëve në treg. Përgjithësisht importuesit shqiptarë orientohen për blerjen e karburanteve në bursën e Londrës, e cila edhe gjatë ditës së djeshme ka qenë më e shtrenjtë se ajo në bursat amerikane. Kështu, nafta bruto brent e Londrës për qershorin u rrit 69 cent në 110.68 dollarë për fuçi. Në 2 sesionet e kaluara bençmarku evropian i naftës ra me 2.4%, ndërsa nafta bruto amerikane për qershorin u rrit 86 cent në 97.77 dollarë për fuçi.

Çmimet e larta

Në tregun vendas çmimi i naftës kapi shifrën më të lartë duke u shitur me 181 lekë/litër, kurse benzina me mbi 185 lekë gjatë muajit prill. Ky trend çmimesh të larta ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e shpenzimeve të qytetarëve. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për muajin prill indeksi i grupi “Transport” shënoi një rritje prej 0.7 për qind. Kjo për shkak se edhe çmimi i naftës gjatë muajit prill shënoi një rritje prej 2.4 për qind dhe çmimi i benzinës 0.2 për qind. Inflacioni në muajin prill mbeti sërish i lartë, me 4.1 për qind, kur një vit më parë ky tregues ishte 3.7 për qind. Në këtë periudhë, çmimi i lartë i karburanteve në tregun e huaj, i cili ka qenë në nivelin mbi 120 dollarë për fuçi, sipas ekspertëve të ekonomisë ka qenë i ndikuar nga trazirat në Egjipt, Siri, Jordani dhe Libi. Tregjet reaguan menjëherë pas lajmit për vrasjen e kreut të Al-Qaeda-s, Osama bin Laden në filli të muajit maj. Nafta bruto brent e Londrës për qershorin ra 1.14 dollarë në 124.75 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane për qershorin ra 1.26 dollarë në 112.67 dollarë për fuçi.

168 lekë/litër

Ky është çmimi i ri i shitjes së naftës në tregun me pakicë të karburanteve nga 173 lekë për litër që ishte dy ditë më parë.

169 lekë/litër

Ky është çmimi i ri i shitjes së benzinës në tregun me pakicë të karburanteve nga 174 lekë për litër që ishte dy ditë më parë.

98 dollarë/fuçi

Në bursat e huaja nafta bruto amerikane u rrit më shumë se 1 dollar në mbi 98 dollarë për fuçi, duke ndalur rënien e dy sesioneve të fundit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›