E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitet, garojnë vetëm nxënësit që kalojnë në katër provimet

13/05/2010 Klasifikimi i koeficientëve

Renditja e kandidatëve fitues do të përcaktohet sipas së njëjtës procedurë të aplikuar dhe në vitet e shkuara, duke përdorur të pesë komponentët e maturës, koeficientët dhe notat e të katër provimeve. Tashmë janë miratuar nga Ministria e Arsimit koeficientët e lëndëve me zgjedhje, që variojnë nga 1.0 në 1.3, sipas llojit të fakultetit. Përveç koeficientëve të lëndëve me zgjedhje, janë përcaktuar edhe koeficientët për llojin e shkollës së mesme. Konkretisht, për kategorizimin e shkollave të mesme, çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, të grupuara në 10 kategori kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë.

Përjashtimet nga provimet me zgjedhje për akademitë

Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Por ata duhet detyrimisht të japin provimet e detyruara, në mënyrë që të figurojnë në listat e kandidatëve që aplikojnë për ndjekjen e shkollës së lartë, duke qenë se kanë shlyer detyrimet e shkollës së mesme.

Këtë vit në garën e pranimeve rreth 30 mijë maturantë, përgatitjet për provimet e detyruara

Duhen edhe pak ditë nga mbyllja zyrtare e vitit shkollor për maturantët, të cilët tashmë po u nënshtrohen fazave përgatitore (në bazë të programeve orientuese) për lëndët që do të japin provim. Gjatë ditës së sotme do të zhvillohet edhe paratestimi i dytë, për të parë nivelin e njohurive të çdo nxënësi në lëndën e Letërsisë. Ndërkohë që duke filluar nga fundi i javës së ardhshme, nxënësit përveç përgatitjes individuale, do të zhvillojnë edhe konsultimet e fundit në lëndën e Letërsisë, provimi i së cilës do të zhvillohet më një qershor.

Orientimi

Me mbylljen e vitit shkollor, deri në ditën kur do të jepet provimi i parë i detyruar, do të zhvillohen konsultime nga mësuesit e lëndës për çdo paqartësi që vetë nxënësit mund të kenë. Për të dyja lëndët e detyruara është vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime për të gjithë nxënësit bashkë. Ndërsa për lëndët me zgjedhje, periudha e përgatitjes me mësuesit do të zhvillohet e grupuar sipas preferencave të përzgjedhura nga vetë maturantët. Gjatë kësaj faze, mësuesit e lëndëve përkatëse do të orientojnë maturantët në lidhje me temat që duhet të mësojnë dhe që kanë peshën më të madhe të tezës së provimit, bazuar kjo në programet orientuese që janë hartuar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik vënë në garë rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin. Këta të fundit do të përfshihen në provimet e Maturës Shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të propozuara nga fakultetet për vitin 2010-2011, do t’u japin të drejtën më shumë se 20 mijë maturantëve për të ndjekur studimet e larta publike. Tezat e provimit si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje, do të përmbajnë pyetje me alternativa si dhe pyetje me shtjellim. Në bazë të përgjigjeve do të jepet dhe vlerësimi me pikë.

Përzgjedhja

Për këtë vit kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e maturës. Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit, që kanë si kusht edhe konkursin e veçantë, si: Arkitektura, Edukimi fizik, degët e Akademisë së Arteve, renditja e fituesve do të bëhet me një tjetër formulë. Në këto raste merren parasysh edhe pikët e konkursit. Përzgjedhja e kandidatëve fitues

Renditja e kandidatëve fitues edhe për vitin e ardhshëm akademik do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2]. Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë duke njohur vlerësimet e veta. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në institucionet e arsimit të lartë publik.

Data e provimeve të Maturës 2010:

Gjuhë shqipe dhe Letërsi 01 qershor 2010

Matematikë 15 qershor 2010

Provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) 30 qershor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›