E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë, blen Hotel Dajtin

13/05/2010 Vlera, 30 milionë euro

Qeveria shqiptare i shet Bankës së Shqipërisë ish Hotel Dajtin për 30 milionë euro. Pas shumë projektesh për ndryshimin e hotelit që ndodhet në qendër të Tiranës, qeveria vendosi dje ta kalojë në pronësi të BSH-së. Në vendimin e qeverisë thuhet se shitja e kësaj prone Bankës së Shqipërisë të bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil, ndërkohë që çmimi i shitjes të jetë 30 milionë euro. Për të ruajtur këtë objekt, Këshilli i Ministrave ka vendosur që përdorimi i pronës të jetë vetëm për qëllime administrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të pronës. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave të ketë, në çdo rast, të drejtën e parablerjes së pronës, objekt i këtij vendimi, në rast shitjeje nga Banka e Shqipërisë. Para disa vitesh ka dështuar dy herë procedura për shitjen e këtij hoteli, ku pavarësisht interesit vlera e ofruar nuk ka qenë e kënaqshme. Ky hotel ka një sipërfaqe trualli prej rreth 8.800 metër katror ku përfshihen edhe mjedise të tjera të nëndheshme, me një sipërfaqe totale prej 2 mijë e 345 metra katrorë. Hotel Dajti, i ndërtuar në vitin 1943, ka arkitekturë italiane të stilit roman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›