E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec-Korçë, protestuesit përplasje me policinë

13/05/2010 Vijon bllokimi i akseve të rrugëve nacionale nga ana e PS-së

Majko padi Çaushajt. Kryepolici i Korçës: Do të përballet me ligjin

Partia Socialiste ka vijuar dhe dje me bllokimin e rrugëve nacionale, ku janë vënë re dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Në Korçë, në aksin që lidh këtë qytet me Pogradecin, kanë qenë rreth 60 militantë të opozitës, me në krye deputetët Pandeli Majko, Alfred Dalipi dhe Mimi Kodheli, që për disa minuta kanë bllokuar aksin rrugor, duke shkaktuar bllokim të trafikut. Ndërkohë mësohet se ndërhyrja e policisë për të shmangur ndonjë incident mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve, është shoqëruar me përplasje mes forcave të rendit dhe militantëve të PS-së. Një protestë e ngjashme është organizuar dhe në Tepelenë, në aksin që lidh këtë qytet me Gjirokastrën, ku në krye të saj kanë qenë sërish deputetët e PS-së.

Bllokimi

Ka qenë ora 13 e ditës së djeshme, kur në kthesën e Çëravës janë shfaqur një grup militantësh socialistë, në tentativë për të bllokuar rrugën. Forca të policisë të qytetit të Pogradecit dhe drejtorisë së policisë qarku Korçë, u kanë bërë thirrje protestuesve për mosbllokim të rrugës, duke u kujtuar dhe nenin përkatës të Kodit Penal. Burime nga kjo polici bëjnë të ditur se rreth orës 11, në drejtorinë e policisë është paraqitur një kërkesë për zhvillim proteste, por nga ana e saj policia i është përgjigjur se kjo bie në kundërshtim me ligjin. Gjithsesi, pa marrë parasysh paralajmërimin, deputetët socialistë së bashku me përkrahësit e tyre i janë drejtuar rrugës nacionale për të vijuar aty protestën e tyre. Rruga është bllokuar vetëm për pak minuta dhe policia ka bërë të mundur zhbllokimin e saj.

Përplasja

Për rreth 40 minuta ka vijuar përplasja mes forcave të policisë dhe protestuesve që i drejtoheshin rrugës. Nga ana e tyre protestuesit kanë shfaqur pretendime se është ushtruar dhunë, dhe një ndër ta ka qenë dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili së bashku me deputetin tjetër Alfred Dalipi shkoi dhe më tej, duke akuzuar për përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunë. Majko është shprehur se ka parë njerëz që nuk shikonin nga sytë dhe se janë përdorur shkopinjtë e gomës, ndërkohë që për këto veprime, sipas tij, ka ngritur padi penale ndaj policisë dhe drejtorit Bernard Çaushi. Ndërkohë ky i fundit është kundërpërgjigjur me një tjetër padi penale ndaj deputetit Majko “Protestuesit më kërkuan takim, dhe shkova atje menjëherë. Pas prezantimit deputeti Majko me veprime aktive, më ka goditur në fytyrë dhe më pas më ka shtyrë” thuhet në padinë e dorëzuar prej Çaushajt .

Tepelenë-Orikum

I njëjti skenar, pra bllokimi i rrugës, është zbatuar dhe në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Agjencia”. Edhe aty në krye të protestës janë vënë re sërish deputetët e PS-së, si rasti i deputetes Arta Dade. Protestuesit kanë mundur vetëm për pak minuta të bllokojnë rrugën nacionale, pasi nuk janë lejuar nga policia. Nga megafoni i protestuesve, deputetja Arta Dade ka përsëritur kërkesat e protestuesve dhe grevistëve të urisë të ngujuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të rendit që të mos ndërhyjnë për ndalimin e protestës, pasi sipas saj, “edhe prishja e zhvillimit të një tubimi është veprim i kundërligjshëm dhe fajtorët do të dënohen. Edhe për këtë protestë ka pasur akuza për përdorim dhune dhe të gazit lotsjellës. Ndërkohë një panoramë krejt tjetër është shfaqur në qytetin e Vlorës, ku protesta këtë herë është zhvendosur në Orikum. Që në krye të herës nuk është tentuar bllokimi i rrugës, ndërkohë që policia ka shoqëruar vargun e protestuesve përgjatë rrugës që lidh Vlorën me Orikumin.

Kodheli: Policët që na ndaluan nuk ishin shqiptarë

Nga ana e saj, deputetja e Korçës Mimi Kodheli, është shprehur dje në një prononcim publik se forcat e policisë që ndaluan bllokimin e rrugës nacionale në kthesën e Çëravës, nuk flisnin shqip. Nga ana e saj, Kodheli nuk ka dhënë një përcaktim të saktë se çfarë gjuhe flisnin forcat e policisë, por ka dashur të japë imazhin se janë importuar forca policore nga shtetet fqinjë, Maqedonia, Serbia apo Greqia. Ndërkohë, burime policore shprehen se ata kanë qenë të gjithë policë shqiptarë, që ishin dërguar atje për të bërë detyrën, pra ruajtjen e rendit publik. Në ditët në vijim pritet një qëndrim më i qartë i zonjës Kodheli, në lidhje me ardhjen e forcave të huaja policore për të shmangur bllokimin e një aksi rrugor në jug të Shqipërisë. Gjithsesi, të njëjtat burime policore shprehen se veç shkeljes penale për bllokimin e rrugës, policia do të hetojë dhe në lidhje me akuzat e pavërteta të ngritura në adresë të saj, qofshin këto nga qytetarë apo dhe nga deputetë.

Policia e Korçës

Policia e Korçës është shprehur dje se do të fillojë ndjekja penale për organizatorët e tubimit të jashtëligjshëm në aksin Pogradec-Korçë, ndërkohë që ka hedhur poshtë akuzat për përdorim dhune. “Qëndrimi dhe ndërhyrja e forcave të policisë ka qenë korrekte, e qetë, duke synuar vetëm shmangien e bllokimit të rrugës dhe nuk është përdorur gaz lotsjellës apo lëndë të tjera, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim. Po ashtu njoftojmë se nuk ka pasur të dëmtuar nga radhët e pjesëmarrësve, e cila konfirmohet dhe nga spitalet e Qarkut të Korçës. Por gjithashtu ne kemi dokumentuar të gjitha shkeljet ligjore dhe ndaj shkelësve të ligjit do të kryhen veprimet, sipas ligjit për ndjekjen penale të tyre”, u shpreh policia.

Arrestime në Tepelenë

Vetëm 30 minuta pas përfundimit të protestës, policia e Tepelenës ka ndaluar 6 persona pjesëmarrës në protestë, ndërsa aktualisht dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara komisariatit në shenjë kundërshtimi ndaj masave të marra nga policia. Mësohet se personat e ndaluar janë: Gëzim Cunaj, Luan Gerbi, Besa Pata, Astrit Pasho, Novruz Shehu dhe Përparim Hodo, të gjithë pjesëmarrës në protestën e djeshme. Burime policore shprehen se ndaj tyre do të nisë ndjekja penale, dhe në bazë të nenit rrezikojnë dënimin me gjobë deri në tre vjet për bllokimin e akseve nacionale. Të njëjtat burime shprehen se nuk përjashtohen dhe arrestime të tjera të pjesëmarrësve në protestë.

Ndalimet në Durrës

Tre të arrestuar dhe pesë persona të tjerë të shpallur në kërkim nga policia. Ky është bilanci i protestës së Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe bllokimi i rrugës dy ditë më parë. Drejtoria e Policisë së Durrësit ka njoftuar se të ndaluarit janë Seit Xhunga 27 vjeç, Erion Bregasi 29 vjeç dhe Afrim Duku 52 vjeç. Ndaj tyre është ngritur akuza e pengimit të qarkullimit të automjeteve gjatë protestës te mbikalimi i Shkozetit. Ndërkohë që pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale të tubimit të paligjshëm dhe bllokimin e autostradës që lidh Tiranën me Durrësin.

Protesta e Vlorës

Policia e Shtetit ndaloi të martën dy persona, të cilët kanë marrë pjesë në tubimin e zhvilluar në hyrje të Vlorës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks rrugor. Burime zyrtare të policisë kanë thënë se janë ndaluar e më pas shoqëruar në komisariat shtetasi Festim Çobo, anëtar i Partisë Socialdemokrate, dega Vlorë, dhe shtetasi Kujtim Myrto, kryetar i Sindikatës së Industrisë. Sipas imazheve filmike të regjistruara nga policia, gjatë hetimeve është dokumentuar se këta persona kanë qenë prezentë në protestën e opozitës sot, në rrugën në hyrje të Vlorës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks. Edhe disa persona të tjerë janë shoqëruar në policinë e Vlorës me akuzën e “bllokimit të qarkullimit rrugor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›