E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitete, kushtet për të marri financimin nga shteti

27/09/2011  Metoda e re e financimit planifikohet të hyjë në fuqi në vitin 2013

Detajet e plota në lidhje me akreditimin, bursat e huat që studentët do përfitojnë

Reforma për financimin e arsimit të lartë në vend fillimisht do të shtrihet në sektorin publik e më pas në atë privat. Tashmë janë detajuar të gjitha procedurat që do të ndiqen për zbatimin e skemës së re të financimit, drafti i së cilës është shpërndarë nëpër fakultete prej pak kohësh për diskutim. Në planveprimin e hartuar sqarohet se dhënia e fondeve të shtetit për financimin e studimeve të larta do të kalojë nëpër kritere të rrepta përzgjedhjeje për strukturat publike e private. “Do të ketë një mënyrë tjetër të shpërndarjes jo mbi bazën e kërkesave për fonde nga universitetet, por mbi bazë të parimit të bazuar në performancë, parim i cili ka të bëjë me faktin që paraja ndjek studentin. Për këtë po hartohen disa kritere, të cilat kanë të bëjnë me kuotat që do t’u jepen universiteteve me një nivel të caktuar të cilësisë së pranuar nga rezultatet e maturës shtetërore. Do të ketë një fond të veçantë për të dhënë bursa për të inkurajuar këta lloj studentësh, pra gjithmonë me fokus cilësinë”, - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme këshilltari i kryeministrit për çështjet e arsimit Bardhyl Musai.

Testimi i universiteteve për cilësinë

Më tej ai ka sqaruar se universitetet publike nuk duhet të jenë në panik për zbatimin e kësaj reforme, duke qenë se në skemë planifikohet të përfshihet edhe privati, i cili do të kalojë më parë një sërë kriteresh të rrepta. Dy më themeloret janë: kriteri i cilësisë, ku strukturat private duhet të jenë detyrimisht të akredituar; e dyta ka të bëjë me aktin se këto universitete do të duhet të tregojnë statusin jofitimprurës, çka do të thotë se pranimet pranë këtyre strukturave të arsimit të lartë nuk bëhen me qëllim për fitime për universitetin, kështu universitete do të testohen mbi procedurën e mësimdhënies që ofrojnë, veçanërisht respektimin e kritereve të Bolonjës. “Për këtë qeveria do marrë në konsideratë caktimin e një grupi për të kryer një vlerësim të kërkesave të Bolonjës, nëse ato janë duke u plotësuar me të vërtetë. Procesi i ri akreditimit do të jetë më strikt dhe rigoroz. Tre anëtarë të pavarur i janë shtuar tashmë këshillit, dy prej të cilëve do të jenë të huaj. Kriteret që APAAL-i do të përdorë për akreditimin dhe për sigurimin e cilësisë do të jenë gjithashtu të shumta, si për shembull, përfshirja e cilësisë dhe metodave të mësimdhënies, siç përmendëm më sipër. Procesi i ri i akreditimit dhe ai i sigurimit të cilësisë do të fillojnë të gjejnë zbatim që gjatë këtij vitit.

Ndarja

Në lidhje me numrat e studentëve disa universitete kanë qenë të financuara relativisht më pak se ç’mund t’u përkiste dhe disa të tjera kanë qenë të financuara më shumë. Kjo qasje më e drejtë dhe e orientuar me bazë performancën do të korrigjojë këto anomali historike dhe kështu do të rezultojë në fitues dhe humbës. Qeveria do të prezantojë gradualisht gjatë disa vjetve ndryshimet që rezultojnë nga metoda e re e financimit për të siguruar që asnjë universitet të mos ketë ndryshime të mëdha në fondet publike nga njëri vit në tjetrin, në secilin drejtim. Ky lloj testimi do të nisë të pilotohet që gjatë vitit 2012. Gjithashtu universitet krahas huave, kredive e bursave do të mund të konkurrojnë edhe për marrjen e fondeve të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet e ndryshme, veçanërisht për stafin akademik. Universitetet që do të duan ndihmë në përgatitjen e ofertave të tyre, do të kenë në dispozicion fonde fillestare të kufizuara. Sipas skemës se re të financimit me bazë studentin, qeveria do të supozojë se 8% të këtyre fondeve do të përdoret për kërkim dhe zhvillimin akademik. Shumica e këtyre fondeve duhet të përdoren në të ardhmen për të përmirësuar dhe rinovuar metodat e mësimdhënies dhe të nxënit si më sipër. Ndërsa për strukturat e arsimit të lartë jashtë kryeqytetit do të synohet më shumë përgatitja e tyre në arsimin profesional (p.sh., për mësuesit e shkollave, infermieret, kontabilistët), me programe të ciklit të parë dhe diplomat e reja dyvjeçare profesionale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›