Malaj: Në Universitetin e Arteve do të bëhet edhe shkencë
Rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj e ka konsideruar sfidë për të gjithë pedagogët dhe studentët kthimin e Akademisë së Arteve në Universitet të Arteve. Ndaj, në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik, ai tha se në këtë universitet nuk do të bëhet më vetëm art, por dhe shkencë. Rektori Malaj u shpreh se do të çelen mjedise të reja, ku do të kryhen kërkime shkencore edhe në fusha të ndryshme të artit. Universiteti i Arteve, këtë vit vjen me 32 programe studimi në 3 fakultetet dhe pritet që të nisë edhe me doktoraturat. Këtë vit, numri i studentëve në Universitetin e Arteve shkon në rreth 900 dhe ai i pedagogëve në 300.