Universitetet, MASH shpall 2847 fituesit e Formularit A3
Publikohen fituesit e vendeve bosh për të gjitha universitetet e vendit. Regjistrimi do të bëhet në datat 1 deri në 4 nëntor 2011
Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht fituesit përfundimtarë të universiteteve, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë. Në këtë fazë të fundit të pranimeve e kanë fituar të drejtën e studimit, falë vendeve të mbetura bosh nga faza e dytë e regjistrimeve, 2847 kandidatë, nga 3604 kuota që ishin në dispozicion. Sipas afateve të vendosura nga MASH, regjistrimi i fituesve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1 deri në 4 nëntor 2011, nga ora 8:00 deri në orën18:00. Për regjistrim, kandidati fitues duhet të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Diploma e Maturës Shtetërore, Dëftesë pjekurie (në mungesë, listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë Arsimore Rajonale/ drejtori i zyrës Arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit); Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi; Dy fotografi; Mandat-arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekësh të lëshuar nga zyrat e Postës Shqiptare.
Të dhëna për Formularin A3 2011
Prodhuar Formularë A3 16303
Plotësuar Formularë A3 6815
Pjesëmarrës në konkurrim 6789
Kuota në dispozicion 3604
Fitues faza 3 2847
Kuota të pakërkuara 757