Universitetet, dalin pikët sipas preferencave
Dalin pikët e fituara nga maturantët për secilën prej 10 preferencave të listuara prej tyre në Formularin A2 për shkollën e lartë. Gazetat boton sot pikët për maturantët e kryeqytetit, përkatësisht për gjashtë gjimnazet më të mëdhenj të tij që janë: “A.Z.Cajupi”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Partizani” dhe “Sami Frashëri”. Ministria e Arsimit ka publikuar dje zyrtarisht Librin e Transparencës, në të cilin të gjithë maturantët, në bazë të rezultateve të arritura në katër vitet e shkollës së mesme dhe në 4 provimet e Maturës, si dhe në bazë të koeficientit të vendosur, mund të gjejnë pikët e fituara për çdo preferencë. Drejtor i Drejtorisë së Pranimeve, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu, ka sqaruar dje në një konferencë për shtyp të gjitha detajet e Librit të Transparencës dhe sesi duhet të lexohen të dhënat e tij. “Te Libri i Transparencës çdo kandidat maturant gjen të gjitha elementet përbërëse të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, mesataren e katër apo pesë viteve të shkollës së mesme, rezultatin e provimit të Letërsisë, Matematikës dhe dy provimeve të lëndëve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit, që ofrojnë universitetet publike për vitin akademik 2011-2012. Mbi bazën e elementeve të lartpërmendura në libër janë dhënë pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficientëve të përcaktuar nga MASH”, - shpjegon drejtori i Pranimeve, Arben Fagu. Sipas tij, tashmë, çdo maturant, pas konsultimit me Librin e Transparencës dhe leximit të pikëve të grumbulluara nga ana e tij në secilin program studimi të përzgjedhur prej tij si dhe pikëve të fituesve të fundit të publikuara në ëebsit-in e MASH, arrin të gjykojë se në cilën degë ka më shumë shanse suksesi. Në Librin e Transparencës nuk paraqiten gjenealitetet e maturantëve, me qëllim që të mbrohen të dhënat personale të tyre. Për maturantët, të cilët ndër preferencat e zgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, për këto programe në Librin e Transparencës nuk janë llogaritur pikët, sepse ato përllogariten pas daljes së rezultateve të konkurseve.