E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në administratë, pagat e reja bazë për 10 kategori

Qeveria ka përcaktuar nivele të reja pagash bazë për 10 kategoritë kryesore që përfshijnë administratën

Në kuadër të ristrukturimit tërësor të administratës shtetërore qendrore, qeveria ka përcaktuar nivele të reja pagash bazë për 10 kategoritë kryesore që përfshijnë administratën. Gazeta MAPO publikon vendimin e plotë të botuar në Fletoren zyrtare, i cili i shtrin efektet që nga 15 korriku i këtij viti. Organigrama e re e ka grupuar funksionimin e institucioneve sipas 5 funksioneve, politikëbërëse, rregullatore, funksione të ofrimit të shërbimeve, funksione të shërbimeve mbështetëse. Kështu, për çdo funksion do të kenë vetëm një drejtori. Në aparatet e ministrive, sektorët nuk mund të krijohen si njësi të veçanta që raportojnë drejtpërdrejt te sekretari i përgjithshëm. Në këtë kuadër, sektorët e ngjashëm shkrihen. Në institucionet e pavarura, njësia më e lartë organizative është drejtoria e përgjithshme, e cila krijohet vetëm në rastet kur plotësohen standardet numerike përkatëse. Në institucionet e varësisë, njësia më e lartë organizative është drejtoria. Në rastin e institucioneve të mëdha, me më shumë se 50 pozicione pune, në institucionin e varësisë mund të krijohen pozicionet e zëvendëstitullarit, me kushtin që ky pozicion të jetë, në njëjtën kohë, edhe drejtuesi i një drejtorie funksionale të institucionit. Pozicioni i sekretarit të përgjithshëm krijohet vetëm në Kryeministri, aparatet e ministrive dhe në institucionet e pavarura, në rast se në këto të fundit anëtarët e emëruar në drejtimin e institucionit nuk janë të punësuar me kohë të plotë. Sipas kritereve të reja, në aparatet e ministrive ka vetëm një drejtori të përgjithshme për çdo funksion kryesor, me përjashtim të rastit kur një drejtori e përgjithshme është krijuar me një ligj të veçantë. Në këtë kuadër janë përcaktuar edhe kategoritë e reja të pagave për secilin nga funksionet e organigramës së re. Burimet nga Ministria e Financave, e cila ka udhëhequr grupin e punës për këtë reformë, shpjegojnë se një nga qëllimet themelore është mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe pastrimi i strukturave parazite. Burimet nga Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave, bënë të ditur dje për gazetën MAPO se administrata publike do të pastrohet nga punonjësit me masa administrative dhe se do rishikohen të gjitha strukturat. Për këtë qëllim, prej më shumë së një viti është ngritur një grup pune me përfaqësi nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Administratës Civile. Ky grup ka hetuar të gjithë strukturën e administratës, për të verifikuar pagat në raport në pozicionet e punës etj. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Një nga propozimet e grupit të punës për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit i është nënshtruar një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Të njëjtat burime pohojnë se kostot për paga dhe pensione në buxhet janë të larta tashmë. Duke qenë se reforma e pensioneve kërkon kohë, reforma në administratën publike është totalisht në dorën e qeverisë dhe do të jetë aktive në buxhetin e vitit 2012.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›