E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, datat dhe dokumentet e regjistrimit



Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht datat dhe dokumentet e regjistrimit paraprak në universitete për studentët e shpallur fitues. Kandidatët fitues pa humbur kohë duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 12, 13, 14, 15, 16, 17 dhe 18 shtator 2009 prej orës 08:00 deri në orën 18:00. Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; Dokument identifikimi (letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje duhet të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë (Numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës). Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit. Regjistrimi i studentëve do të kryhet, si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të universiteteve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.Gazeta “Albania” vazhdon në numrin e sotëm botimin e emrave të fituesve të fazës së parë për Universitetin e Politeknikut, Akademinë e Arteve dhe Universitetin e Durrësit.

12 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›