E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, digjen 2000 kuota, fituesit në 7 nëntor

Digjen 2000 kuota në universitetet publike të vendit. Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve sqarojnë se nuk do të ketë një fazë të re pranimesh. Fituesit e fundit në universitete sipas AKP-së do të shpallen më 7 nëntor. Sipas tyre, ndër arsyet pse kanë mbetur vende të lira në shkollat e larta janë largimi i maturantëve jashtë vendit, apo nisja e studimeve në sistemin me kohë të pjesshme. “Në kuotat bosh ka ndikuar edhe një pjesë e mirë e maturantëve që kanë marrë vërtetimet për t’u regjistruar në programet part-time dhe në universitetet private. Ka qenë një shifër e konsiderueshme që i kanë kërkuar dhe ne mendojmë se ata kanë shkuar pranë programeve të këtyre universiteteve”, tha Alfons Harizaj, kreu i AKP-së.
Fituesit
Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme. Në rast se ka dublim regjistrimesh, kandidati do të përjashtohet nga të dyja programet e studimit. Pas shpalljes së fituesve, maturantët do të kenë 5 ditë afat për t’u regjistruar. Dosja që ata do të dorëzojnë në sekretari, duhet të përmbajë një sërë dokumentesh. Në të nuk duhet të mungojë dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve: 2 fotografi dhe mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare. Sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat.
Transferimi i studimeve
Çdo student që ka nisur shkollën e lartë në një universitet publik, mund t’i transferojë ato në një universitet privat dhe anasjelltas. Ndërsa për të parët qeveria përcakton numrin e vendeve, për privatët nuk ka limite. Dy vitet e fundit kjo praktikë po ndiqet sidomos për ciklin e studimeve master, apo edhe vitin e fundit të shkollës së lartë. MASH nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i studentëve që largohen nga publiku për të ndjekur privatin. Burime nga universitete private në kryeqytet pohojnë për gazetën se interesi i studentëve për t’u transferuar pranë këtyre institucioneve ka ardhur në rritje. Procedura e transferimit konsiston në njohjen e krediteve dhe përputhshmërinë e programeve, ndërsa hapi tjetër është ekuivalentimi i tyre. Ky proces, që të jetë i vlefshëm, sigurisht duhet të ndodhë sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Bëhet verifikimi përkatës dhe studenti mund t’i nisë studimet aty ku i ka ndërprerë.

Regjistrimet në part-time
Sipas udhëzimit të MASH-it, dje janë afishuar në fakultete listat e fituesve të masterave me kohë të pjesshme. Kandidatët që gjejnë emrat në këto lista, do të kenë gjashtë ditë kohë për t’u regjistruar. “Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 06.11.2012 deri në datën 12.11. 2012, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë”, thuhet në udhëzim. Dokumentet e aplikantëve jo fitues u kthehen personave kundrejt kërkesës. Për regjistrimin kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore. Me mbylljen e regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë duhet të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) listat përfundimtare në dy kopje.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›