E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i Abu Dabit: Do të financojmë Unazën e Madhe

Basha me drejtuesit e Fondit të Zhvillimit të Abu Dabit

Abu Dabi do të mbështesë realizimin e projektit të rehabilitimit të lumit të Tiranës dhe ndërtimit të pjesës veriore të Unazës së Madhe të Tiranës. Këtë garanci Bashkia e Tiranës e mori pas takimit që kreu i saj, Lulzim Basha, bëri me drejtuesit e Fondit të Zhvillimit të Abu Dabit. Kryebashkiaku i ka njohur me projektin e hartuar nga studioja arkitekturore “Grimshaw” për rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe ndërtimin në dy anët e lumit, të pjesës veriore të Unazës së Madhe. Projekti i lumit të Tiranës që nis nga Ura e Brarit deri tek Ura e Kamzës, me gjatësi 6.7 km, parashikon pastrimin dhe sistemimin e lumit, ndërtimin e hapësirave të gjelbra dhe zonave rekreative. Në të dyja anët e lumit do të shtrihet Unaza e Madhe, e cila është parashikuar të jetë me 8 korsi. Drejtuesit e Fondit të Abu Dabit kanë shprehur mbështetjen për këtë projekt dhe kanë garantuar kryebashkiakun Basha për shqyrtimin me përparësi të mundësisë së financimit të këtij projekti, kostoja e të cilit është 114 milionë euro. Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë së Abu Dabit, i pranishëm në këtë takim, ka shprehur interesin e investitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për të investuar në realizimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera në Tiranë. Nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, studioja arkitekturore “Grimshaw” ka përfunduar studimin gjeologjik dhe topografik të bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. Nga stacioni i trenit deri në Paskuqan dhe përgjatë lumit të Tiranës janë kryer mbi 50 shpime, si dhe janë instaluar 6 piezometra për monitorimin e nivelit të ujërave nëntokësore.  Aktualisht kanë përfunduar analizat laboratorike për të gjithë zonën. Me studimin gjeologjik studioja arkitekturore “Grimshaw”  ka përfunduar një fazë të rëndësishme të studimit të detajuar të projektit për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Brenda pak javësh projekti i detajuar do t’i dorëzohet Bashkisë së Tiranës për t’i hapur rrugë nisjes së zbatimit të këtij projekti, i cili konsiderohet si më i rëndësishmi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të Tiranës. Ndërtimi i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës hap një mundësi të re të madhe për zhvillimin ekonomik dhe nxit punësimin. Ky projekt prek 1/5 e qytetit, një prej pjesëve me të pazhvilluara të Tiranës.

Brenda javës, ndërhyrje në 14 semaforë
Brenda javës do të nisë ndërhyrja në semaforët e 14 kryqëzimeve kryesore të qytetit të Tiranës. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha, ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të kryhen në kryqëzimet ku trafiku është më i madh dhe më pas do të vijohet me pika të tjera të Tiranës. “Këto janë pikërisht ato kryqëzime, të cilat vuanin nga mungesa e kontrollorëve ndër vite por që kanë edhe defekte të tjera, siç mund të jenë llambadarët apo shtyllat semaforike. Për këto 14 nyje është hartuar projekti i detajuar, është marrë miratimi nga Bashkia e Tiranës dhe kontraktori do të fillojë punën për zëvendësimin e elementeve të prishura brenda kësaj jave”, tha Hoxha. Ajo shtoi se kjo është vetëm faza e fillimit të kësaj pune, sepse do të vazhdohet edhe me elementet e tjera që janë pjesë e projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›