E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet do të japin edhe Diploma profesionale

Risia Regjistrohet kushdo që përfundon shkollën e mesme dhe merr diplomën e Maturës Shtetërore

Përveç ndryshimeve të shumta që pritet të pësojë arsimi i lartë në vend, të gjitha risitë janë të lidhura ngushtë edhe me atë parauniversitar. Konkretisht, pritet që këtë vit në maturën e vitit 2010, e pesta në radhë, nxënësit të pajisen me diploma. Këtu nuk bëhet më fjalë për diplomë të pjekurisë ashtu siç janë quajtur për vite me radhë. Ajo që do të lëshohet në fund të këtij procesi do të quhet “Diplomë e Maturës Shtetërore”. Por jo vetëm kaq. Pas përfundimit të shkollës së mesme, të gjithë do të kenë mundësi që të vazhdojnë studimet në programe të caktuara që do të ofrojnë universitetet. Në fund të tyre, pas dy viteve dhe plotësimit të 120 krediteve, diploma që do të lëshohet nga këto institucione do të quhet “diplomë profesionale”. Të gjitha këto janë të parashikuara në disa pika të ndryshuara të ligjit të arsimit të lartë, dorëzuar për miratim pranë Këshillit të Ministrave.

Matura Shtetërore

Aktualisht ndodhemi në vitin e pestë të Maturës Shtetërore dhe në maturën e vitit 2011, siç është edhe e përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshohet “Diploma e Maturës Shtetërore”. Në maturën e vitit 2012-të kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale.

Diplomat profesionale

“Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja e këtyre programeve është jo më pak se dy vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale...” në fushën e arsimit të kryer”, thuhet në projektligj.

Kreditet e akumuluara gjatë studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studime universitare të ciklit të parë në përputhje me kriteret që vendosin institucionet e arsimit të lartë.

Po ashtu në projektligj parashikohet që institucionet e arsimit të lartë, të kenë të drejtë të propozojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere shqyrtohen dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në Këshillim me Konferencën e Rektorëve dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe të Shkencës, dhe mbi këtë bazë, ministri miraton me udhëzim kriteret dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve.

Cikli i parë i studimeve

Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë pajisjen me njohuritë bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe formimin e shprehive të veçanta në një llojshmëri të gjerë profesionesh e specialitetesh.

Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja e tyre është tre vite akademike.

Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimit të kryer.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›