Flamuri i NATO-s fut në sherr pozitën me opozitën
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dënuan dje ashpër djegien e flamurit të NATO-s nga ana e disa simpatizantëve të Partisë Socialiste gjatë protestës masive të opozitës në 30 prill. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, theksoi se në protestën e pinjollëve të bllokut ndodhi një incident i paprecedentë, ku iu vu flaka flamurit të aleancës ku Shqipëria u anëtarësua një vit më parë. “Para këtij akti të turpshëm e të dënueshëm që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangët etërve në ideologjinë e tyre, udhëheqja tjetër e Partisë Socialiste me verbëri dhe skllavëri të plotë hesht duke dëshmuar kështu se ka qenë porositëse dhe organizatore e tij”, kërkoi Mëhilli. Sipas saj, sot Shqipëria po përjeton kohërat e NATO-s dhe të lirës, sepse kohërat e etërve të bllokmenëve të PS-së, kanë përfunduar dhe janë flakur në koshin e historisë. Po kështu, në të njëjtën linjë u shfaq dje edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Sipas tij, kjo parti dënon publikisht aktin e shëmtuar, të turpshëm dhe tejet provokativ të djegies së flamurit të NATO-s në mjediset e protestës së organizuar nga PS. Në këtë kuadër, Rama kërkoi që PS të distancohet nga ky akt dhe të ta dënojë fuqimisht atë. “Akti i shëmtuar i djegies së flamurit të NATO-s, jo vetëm duhet dënuar, por prej tij duhet distancuar e gjithë PS-së, sepse ai akt nuk ka të bëjë me investimin e madh dhe patriotik që socialistët shqiptarë kanë bërë gjatë gjithë kohës së ekzistencës së kësaj partie”, kërkoi Luan Rama. Pas këtyre deklaratave e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e ardhur nga socialistët, nëpërmjet zëdhënëses, Armela Ymeraj. Sipas saj, akuzat për djegien e flamurit nga ana e simpatizantëve të PS-së është një shpifje e ulët. “Hedhim poshtë me neveri shpifjen e ulët se në protestën tonë është djegur flamuri i NATO-s dhe akuzojmë drejtpërdrejt televizionet e Sali Berishës për manipulim të qartë grafik me imazhe filmike që s’kanë asnjë lidhje me protestën që pa tërë bota në mbrëmjen e 30 prillit”, shpjegoi zëdhënësja e PS-së. Sipas saj, ky është një pushtet i gënjeshtrave, të cilat populli shqiptar po i paguan me rrënim ekonomik.
#