Profesorët mund të punojnë ku të duan
“Lufta” dhe diskutimet e mëdha hapur pesë muaj më parë, lidhur me stafet akademike që japin mësim në shumë universitete njëkohësisht, mendohet të vihet në “shina”, me autoritetin që jep ligji. Kështu në projektligjin e dorëzuar javën e shkuar në qeveri, për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, sqarohet e zezë mbi të bardhë se profesorët të cilët japin mësim në shtet, janë të lirë të angazhohen me punë edhe në institucionet e tjera private të arsimit të lartë. Sipas projektligjit nga angazhimet e “tepruara” nuk lejohen të përfshihen dekanët e universiteteve apo edhe vetë rektori. Ndërkohë që leja për të kryer veprimtari për stafet akademike, në rastin më të thjeshtë duhet të aprovohen nga titullari. Por ndryshimet në legjislacion propozojnë që miratimi të mund të merret si nga rektori ashtu edhe nga ministri i arsimit.
Projektligji“Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë, publik ose privat, ka të drejtë me miratimin e titullarit të njësisë kryesore dhe të institucionit të arsimit të lartë, të angazhohet si personel akademik i ftuar me kohë të pjesshme në një IAL tjetër, publik ose privat brenda dhe jashtë vendit”, shkruhet në projektligj. Sipas projektligjit të ndryshuar, autoritetet drejtuese, rektor, dekan dhe ato të njësuar me to, nuk kanë të drejtë të angazhohen me kohë të plotë në veprimtari, mësimdhënie, kërkim apo në veprimtari të tjera, në institucionet e tjera të arsimit të lartë, publik ose privat, brenda ose jashtë vendit. Lejohen vetëm me kohë të pjesshme, pas miratimit, përkatësisht të ministrit të Arsimit dhe Shkencës ose rektorit.
Sqarimi“Ndryshimi tjetër ka të bëjë me mobilitetin e profesoratit. Duke qenë të vetëdijshëm për nevojat që ka sistemi për pedagogë, ligji precizon që personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private brenda apo jashtë vendit. Këtë të drejtë e kanë edhe autoritetet drejtuese të universiteteve”, kjo ka qenë deklarata e ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Myqerem Tafaj, një ditë pas mbledhjes së qeverisë, kur u diskutua me përparësi, projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Sipas kreut të shkencës, përmes këtij ndryshimi, arsimi arrin të shfrytëzojë në maksimum kapacitetet njerëzore që zotëroni. “Sistemi ka nevojë për kontributin e tyre, si në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor”, tha Tafaj.
Sipas ligjit, organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit, duhet të organizojnë një mbledhje të hapur, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar.
Sakaq, në këtë kohë, mbetet për t’u diskutuar udhëzimet dhe urdhrat lëshuar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, për çështjen e punësimit të shumëfishtë të profesorëve në përgjithësi, dhe shefave të departamenteve, stafit të brendshëm të dekanateve në veçanti.