E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet do të pranojnë mbi 22 mijë studentë

13/07/2009  Pranimet për vitin e ardhshëm akademik për rreth 215 programe të ndryshme studimi

Pjesa dërrmuese e universiteteve publike në vend i kanë propozuar tashmë kuotat e pranimeve për çdo program studimi që do të hapet gjatë vitit të ardhshëm akademik. Ndonëse nuk është aprovuar zyrtarisht, pohohet se të drejtën për marrjen e statusit të studentit për herë të parë do ta gëzojnë më shumë se 22 mijë konkurrues. Ashtu si dhe vitet e shkuara, numrin më të madh të pranimeve do ta ketë Universiteti i Tiranës, që ka propozuar për të tetë fakultetet e tij përbërëse rreth 7200 kuota pranimi për sistemin me kohë të plotë. Njëkohësisht ky institucion llogaritet të jetë një ndër më të preferuarit jo vetëm nga maturantët në kryeqytet, por pasivisht edhe nga ata të rretheve. Gjithashtu një numër të lartë kuotash pranimi do të ofrojnë edhe universitetet e tjera, si ai Politeknik, Bujqësor dhe homologët në rrethe. Akademitë sportive apo artistike për vitin e ardhshëm do të ofrojnë një numër të kufizuar pranimesh, pothuajse në të njëjtat nivele si dhe vitet e shkuara, kjo për shkak dhe të ambienteve dhe bazës didaktike, e cila nuk lejon rritje të mëtejshme të kuotave.

Programet

Pas përcaktimit të një sërë programesh të reja, që do të çelen për herë të parë gjatë 2009–2010-s, numri i programeve të studimeve që do të ofrojnë universitetet publike arrijnë në 215 lloje të ndryshme. Shpërndarja e tyre ndryshon në bazë të vendndodhjes së fakultetit. Një sërë ndryshimesh janë shoqëruar edhe për programet e studimit në Akademinë e Arteve, ku disa degë, për të cilat konkursi zhvillohej ndaras, tashmë do të zhvillohet në një të vetëm. Për shkak të cilësisë së dobët të realizuar gjatë viteve të shkuara, për konkursin e këtij viti është menduar që të shkrihen në një testim të vetëm konkurset e kompozicionit, muzikologjisë dhe dirigjimit. Këto të fundit për vite me radhë janë zhvilluar të ndara, çka ka sjellë, sipas drejtuesve të akademisë, prurje cilësore të dobëta. Për të tria programet testimi do të zhvillohet në dy faza me kohëzgjatje të caktuar për secilën. Kandidatët që nuk do të kalojnë dot fazën e parë, nuk do të lejohen të kalojnë në fazën e dytë, duke u eliminuar automatikisht.

Raundet

Përcaktimi i kandidatëve fitues sipas kuotave të miratuara do të kalojë në disa raunde. Sipas parashikimeve të bëra nga specialistet, pranimet do të realizohen në tri faza të caktuara. Në fazën e parë do të jenë fituesit që do të shpallen në fillim të muajit shator, të cilët do të listohen sipas rendit zbritës të pikëve të arritura për çdo degë studimi. Në rast se gjatë fazës së parë do të rezultojnë shumë vende të parealizuara, atëherë lista e fituesve për çdo fakultet do të pësojë zbritje. Po kështu do të vijojë procedura edhe nëse pas kësaj faze do të rezultojnë sërish vende të mbetura bosh. Secila prej fazave të regjistrimeve do të ketë një afat të caktuar kohor për kryerjen e procedurave të regjistrimit.

Kuotat e pranimit në Universitetin e Tiranës, kohë e plotë

Kuotat e pranimeve për 8 fakultetet

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës 770

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja 730

Në Fakultetin e Drejtësisë 700

Në Fakultetin e Shkencave Sociale 500

Në Fakultetin e Mjekësisë 350

Në Fakultetin e Infermierisë 555

Në Fakultetin e Histori-Filologjisë 370

Në Fakultetin e Ekonomisë 1230

Universiteti Politeknik 1335

Universiteti Bujqësor 1530

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›