E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimorët bllokojnë 30 biznese pa licencë

13/07/2009  Aksion dhe te lojërat e fatit

ELBASAN-Tatimorët kanë bllokuar ditët e fundit aktivitetin e shumë subjekteve pasi gjatë një kontrolli të ushtruar është konstatuar mungesë në dokumentacionin shoqërues të mallit. Vetëm gjatë këtyre ditëve ka shkruar në 30 numri i bizneseve që janë bllokuar nga dega e Tatim Taksave, pasi nuk dispononin dokumentacionet përkatëse. Kryetari i degës së Tatimeve, Skënder Daja, deklaroi se në bashkëpunim me Policinë Tatimore dega e Tatim Taksave ka ushtruar kontroll në një sërë subjektesh të mëdha private që ushtrojnë aktivitet në qytetin e Elbasanit. Si pasojë e këtyre kontrolleve 30 subjekte janë bllokuar pasi kanë tregtuar mallra pa u pajisur me dokumentacionet përkatëse, si licencë nuk janë të pajisur me pulla fiskale dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues të mallit”. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ku kontrollet do të përqendrohen tek subjektet prodhuese dhe tregtuese të pijeve freskuese e alkoolike. “Një fenomen tjetër që do të jetë edhe subjekt i kontrolleve task - forcë nga Drejtoria Qendrore e Tatimeve, është kontrolli dhe sekuestrimi i makinerive të lojërave të fatit pa licencë që ushtrojnë aktivitet të jashtëligjshëm”, përfundon Daja. Në qarkun e Elbasanit ushtrojnë aktivitet 5506 subjekte të biznesit të vogël dhe 1100 subjekte të biznesit të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›