Studentët, 59.3% konsumatorë të rregullt të alkoolit
Rreth 59.3% e studentëve janë konsumatorë të rregullt të pijeve alkoolike. Këto janë të dhënat e studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas specialistëve kanë qenë vetë studentët që e kanë pranuar këtë fakt në anketimin e bërë. Studimi i ISHP-së përfshiu 400 studentë në Tiranë, me moshë mesatare prej 21 vjeç, të cilëve iu shpërnda një pyetësor për nxjerrjen e të dhënave të ndryshme socialdemografike. Studimi u realizua gjatë periudhës prill-maj 2009. Studentët kishin një prejardhje nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ndërsa rreth 56 % e tyre ishin meshkuj, kundrejt 44 % femra. Rreth 61 % e tyre u vetëdeklaruan myslimanë, 3.1 % bektashianë, 12.3 katolikë, 9.8 % të besimit ortodoks dhe të tjerë ateistë, ose refuzuan të përgjigjen. Bazuar në rezultatet e studimit, 75.2 % e studentëve referojnë se e përdorin për qejf alkoolin, kundrejt 11.6 % që referojnë se e përdorin atë kur mërziten. Ndërsa 10.6 % e studentëve referojnë arsye të tjera për përdorimin e alkoolit. Pjesa më e madhe e studentëve mendojnë se rakia është akoma pija kryesore në familjet shqiptare. Por gjithashtu ata duket se janë të ndërgjegjshëm për pasojat e alkoolit në organizëm. Vendi ynë ka një konsumim të lartë të pijeve alkoolike për frymë. Specialistët e ISHP-së theksojnë se pije të tilla paraqesin një rrezik serioz për shëndetin e të rinjve, pasi mungon vëmendja e duhur për sigurinë e pijeve alkoolike. Prevalenca në shifra të larta e konsumimit të pijeve alkoolike te studentët është problem shqetësues, jo vetëm për ata dhe familjet e tyre, por për gjithë shoqërinë.