E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, edhe formular A4 për fituesit

Specialistët shpjegojnë se rreth datës 15 shtator del lista e parë e fituesve, të cilët do të kenë një javë në dispozicion për t'u regjistruar dhe më pas do të bëhet spostimi i listës. 

TIRANE-Për herë të parë këtë vit, specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, kanë menduar që të nxjerrin edhe Formularin A4. Ai do t'u shpërndahet kandidatëve për në shkollë të lartë pas përfundimit të fazës së tretë të regjistrimeve dhe do të mbajë kuotat e mbetura bosh për çdo degë pas përfundimit të tre fazave të para të regjistrimit për në shkollë të lartë. Ky vendim është marrë nisur nga përvoja e vitit të kaluar, kur shumë vende për në universitet, kryesisht ata të rretheve, mbetën të paplotësuar edhe pas fazës së tretë të regjistrimeve, kur maturantët shpërndahen sërish sipas preferencave të shënuara në formularin A3. "Vitet e kaluara kemi vënë re që edhe pas plotësimit të formularit A3, ndodh të ketë sërish vende bosh, ndaj Ministria e Arsimit ka menduar për një tjetër formular, formularin A4, i cili sërish do të përmbajë vendet bosh të mbetura nga faza e tretë e regjistrimeve dhe të cilin do ta plotësojnë ata kandidatë që janë të interesuar të shkojnë në këto degë të mbetura të lira", - kanë shpjeguar specialistët e MASH-it. Ndërkohë që pas fazës së dytë të regjistrimeve do të shpërndahet formulari A3, të cilin mund ta plotësojnë jo vetëm ata që nuk kanë rezultuar fitues gjatë dy fazave të para, por edhe ata kandidatë që janë të pakënaqur me degën ku janë klasifikuar sipër vijës së kuqe. "Vendet e mbetura bosh nuk mbushen apriori, por me anë të sistemit meritë-preferencës dhe formularit A3", - shpjegojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit, të cilët shtojnë se formulari A3 do të jetë në duart e maturantëve kandiat për studentë pas përfundimit të regjistrimit të fituesve të fazës së parë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›