Universitetet, edhe një raund pranimi pa A3
Burime nga Ministria e Arsimit pohojnë se për shkak të kuotave të shumta të paplotësuara, do të ketë edhe një raund me ulje të vizës së fituesit. Në çdo rast vendimi do të merret brenda ditëve në vijim. Burimet nga ministria pohuan dje për “standard” se janë rreth një mijë kuotat e mbetura bosh dhe si pasojë ende nuk do të vendoset në përdorim formulari A3. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë gjatë ditëve në vijim, kur të kryhet raporti i plotë i Agjencisë së Pranimit dhe Regjistrimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Por, në shumë degë të universiteteve të ndryshme të vendit nuk është arritur plotësimi i kuotave pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve paraprake në institucionet publike të arsimit të lartë. Nga një llogaritje paraprake, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për më shumë se 1 mijë kuota që kanë mbetur të parealizuara nga regjistrimi paraprak.
Ndër këto kuota përfshihen jo vetëm ato ku nuk janë regjistruar maturantët e shpallur fitues, por edhe kuota që kanë mbetur bosh si pasojë e mospërzgjedhjes nga maturantët. Në këtë mënyrë bëhet fjalë për më shumë se 500 kuota të cilat janë në degë, të cilat i kanë përzgjedhur më pak maturantë sesa kuotat e përcaktuara për to. Këto kuota do të rishpërndahen, së bashku me ato që nuk janë plotësuar, me anë të zbritjes së vizës së fituesve e më pas me anë të formularit A3.
Këtë vit, për herë të parë, krahas formularit A2, Ministria e Arsimit ka parashikuar edhe dy formularë të tjerë për pranimin në shkollat e larta. Duke parë numrin e madh të raundeve të regjistrimit, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit, pas raundeve të para të regjistrimeve, të mos vijojë raunde të tjera regjistrimesh bazuar në formularin A2.
Në këtë mënyrë, ministria do të shpërndajë një formular tjetër, A3, për të gjithë ata që nuk u shpallën fitues në raundin e parë. Ndërkohë, nëse sërish do të mbeten kuota të paplotësuara do të plotësohet formulari A4, me kuotat e mbetura bosh, të cilat do të rishpërndahen.
Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se rezultatet e rishpërndarjes së kuotave dhe procedurat e mëtejshme do të nisin pas këtij raundi regjistrimesh, i cili pritet të jetë sërish me ulje të vizës së fituesve. Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim.