E Diel, 1 Nëntor 2026

Veshjet turke e kineze mbushin butikët e Durrësit



Prej disa kohësh, veshjet e femrave dhe meshkujve me firmat e Armanit, Valentinos, Maks Marës, si dhe të tjerë emra të botës së modës, po zëvendësohen në butikët e Durrësit nga ato të prodhuara nga firma kineze e turke, gjithashtu në imitacion, duke hedhur një vështrim në listën e mallrave të veshjeve të cilat hyjnë në doganën e Durrësit, vëren një ulje të produkteve firmato dhe për rritjen e atyre që prodhohen në Turqi, Kinë apo në vende të tjera.

Shumë prej tregtarëve të butikëve me emër, për të mos humbur klientelën VIP, kanë kohë që janë të detyruar të bëjnë tregti të këtyre produkteve, pasi kërkesa për veshmbathje të shtrenjta ka qëndruar gjithnjë e lartë. Një pjesë e mirë e konsumatorëve po vrapojnë në drejtim të mallrave që shiten me çmime të leverdishme, por që janë edhe funksionale, duke lënë për një periudhë tjetër përdorimin e produkteve të firmave të njohura. Kjo gjendje duket se i ka shpëtuar mrekullisht krizës ekonomike, duke treguar qëndrueshmëri.

Nga porti i Durrësit realizohet më shumë se 70% e importeve të veshmbathjeve të cilat plotësojnë nevojat e Shqipërisë. Pjesa tjetër hyn nëpërmjet Greqisë dhe kufijve të tjerë tokësorë. Ajo që vihet re për vitin 2009, është mbajtja në mënyrë të konstante e importeve të rrobave të cilat mbajnë firmat e stilistëve të njohur në botë dhe importi i produkteve turke, kineze apo i vendeve të tjera. Një situatë e tillë ka kohë që është manifestuar edhe në dyqanet e veshjeve në të cilat nuk është e vështirë të gjesh edhe mallra me etiketa perëndimore si italiane, greke, gjermane etj. Por ama gjenden me shumicë prodhime veshjesh që fillojnë nga këmishat, për të mbërritur deri te palltot, të cilat janë prodhuar në Turqi apo Kinë si dhe në ndonjë shtet tjetër. Tregtarët e butikëve të njohur, për të mos humbur klientët e tyre, kanë kohë që importojnë sasi produktesh të firmave të njohura aq sa për transportin e tyre.

Prodhimet turke apo kineze, si të veshjeve ashtu edhe të këpucëve, kushtojnë 2 herë më lirë se ato që mbajnë të stampuara emrat e stilistëve apo modelistëve të njohur perëndimorë. Kjo situatë ka favorizuar tregun e “gabit”. Nga Italia në drejtim të portit të Durrësit importohen për çdo javë dhjetëra tonelata me rroba të përdorura të cilat më pas shpërndahen në të gjithë vendin. Vetëm në qytetin e Durrësit, përveç shitjes nëpër tezga dhe në mjedise të hapura, funksionon edhe një rrjet i përbërë nga 30 dyqane të cilat tregtojnë vetëm rroba dhe këpucë të përdorura. Por në Durrës, Shijak, Kavajë dhe gjetkë funksionojnë me sukses të plotë edhe dyqane të cilat tregtojnë rroba firmato me porosi, madje të personave VIP, ku natyrisht janë grosistët e biznesit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›