Politekniku nxjerr propozimet për kuotat dhe tarifat
Universiteti Politeknik i Tiranës propozon të pranojë 1540 studentë të rinj për vitin akademik 2011-2012, për studimet me kohë të plotë. Krahasuar me pranimet e një viti më parë, sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Politeknikut, studimet me kohë të plotë gjatë vitit të ri akademik pranë gjashtë fakulteteve të këtij universiteti do të kenë mundësi t’i ndjekin vetëm 110 studentë më shumë se vjet. Inxhinieria e Ndërtimit dhe ajo Mekanike renditen të parat në listë për numrin e lartë të kuotave të pranimit, me nga 150 studentë në secilën prej tyre. Fill pas tyre, vjen një tjetër degë jo pak e preferuar nga të rinjtë për studimet e larta, që është ajo e Arkitekturës, me 100 kuota pranimi. Për vitin e ri akademik Universiteti Politeknik propozon që pranë degës së Arkitekturës të hapen për herë të parë edhe dy drejtime të reja studimi, që janë për Arkitekt dhe Urbanist. Kuotat e propozuara për këto dy profile të reja janë respektivisht 75 për Arkitekt dhe 25 për Urbanist, ndërsa tarifa e studimit propozohet që të jetë e njëjtë me atë të Arkitekturës, 30 mijë lekë. Sipas propozimit të bërë nga Universiteti, për të tre këta programe studimi, kandidatët do të pranohen në secilin prej tyre duke iu nënshtruar, përveç katër provimeve të Maturës, që këtë vit do të jenë për herë të parë të detyrueshëm, edhe konkursit të pranimit. Më tej, për degët e tjera të fakulteteve të Politeknikut është propozuar një numër i kufizuar kuotash pranimi, që varion nga 40-80 studentë për çdo program studimi. Megjithë kërkesat në rritje të të rinjve, për të vijuar studimet e larta pranë Politeknikut, pasi ky është i vetmi universitet në vend që ofron programe studimi për degë të ndryshme ixhinierike, për shkak të mungesës së infrastrukturës në ambiente dhe staf akademik, sërish këtë vit pranimet në këtë institucion të arsimit të lartë do të jenë të kufizuara. Aktualisht kuotat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për shqyrtim në Ministrinë e Arsimit. Kuotat e pranimeve janë propozuar pas rishikimit të kapaciteteve nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Por, pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse, janë Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave, dy institucionet që do të marrin përsipër miratimin e këtyre kuotave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre. Gjithsesi, për pranimet e reja të studentëve gjatë vitit të ardhshëm akademik, Universiteti Politeknik ka bërë vetëm dy ndryshime të vogla përsa i përket shtimit dhe pakësimit të kuotave të pranimit. Bëhet fjalë vetëm për dy degë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, për të cilat kërkohet ndryshimi i kuotave. Më konkretisht, për degën e Inxhinierisë Materiale, për vitin e ri akademik propozohen 50 kuota të reja pranimi, nga 60 që kanë qenë vjet. Kurse për degën e Inxhinierisë Ekonomike, po pranë këtij fakulteti, propozohen 20 kuota më shumë se vjet, pasi kuota e propozuar për pranimet e reja është 80 studentë. Përveç kuotave, drejtuesit e Universitetit Politeknik kanë propozuar edhe tarifat e studimit, për vitin e ardhshëm akademik. Krahasuar me taksat e shkollimit të vitit të kaluar, pagesat e sivjetshme për studentët që do të vijojnë studimet pranë këtij universiteti pritet të pësojnë rritje vetëm në dy degë që janë: Inxhinieria Matematike dhe Inxhinieria Fizike pranë Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike. Për këto dy degë drejtuesit e Politeknikut propozojnë që taksa e shkollimit të rritet me 5 mijë lekë, duke e çuar në 25 mijë lekë masën e saj, nga 20 mijë që ka qenë për këtë vit akademik. Në fakt, këto janë të vetmet programe studimi pranë Politeknikut, për të cilat kërkohet edhe kriteri i notës mesatare mbi 6 për t’u regjistruar si fitues. Për degët e tjera të studimit pranë këtij universiteti nuk propozohet asnjë lëvizje e tarifës së studimit, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ato të rriten gjatë miratimit përfundimtar në qeveri. Gjithsesi, si gjithmonë, më shtrenjtë studimet në Universitetin Politeknik do të jenë për degën e Arkitekturës, për të cilën tarifa e propozuar është 30 mijë lekë, pagesë kjo e njëjtë me atë të vjetshmen. Inxhinieria e Ndërtimit do të jetë dega e dytë me taksë të lartë shkollimi në Universitetin Politeknik, 25 mijë lekë për një vit akademik, ndërsa për degët e tjera tarifat variojnë nga 15-20 mijë lekë.