Universitetet, nis gara për 500 diploma të dyta
TIRANE- Të gjithë ata që duan të kenë në xhep një diplomë të dytë, duhet të nxitojnë të bëjnë aplikimin e tyre, pranë sekretarive të fakulteteve ku duan të ulen edhe një herë nëpër auditore.
Për këtë kategori studentësh, Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion për këtë vit akademik, rreth 500 vende. Këta kandidatë do të garojnë mes tyre me dosje, ku një rol të madh luan ngjashmëria e cikleve të studimit si dhe nota mesatare e diplomës së parë. Afati i dorëzimit të dokumentacionit është data 12 shtator, ndërsa pas kësaj date do të fillojë edhe seleksionimi i fituesve.
Ndryshe nga ata që garojnë për t'u ulur në auditoret e universiteteve për herë të parë, kjo kategori studentësh nuk u nënshtrohet konkurseve, por garojnë mes tyre me dosje. Që do të thotë se secili prej këtyre kandidatëve duhet të plotësojë një dosje të cilën më pas e dorëzon në sekretarinë e fakultetit përkatës. Kjo dosje duhet të përmbajë: diplomën e shkollës së lartë, listën e notave, curriculum vitae, titujt e tjerë (nëse ka) si dhe eksperiencat në punë. Pas përfundimit të procesit të dorëzimit të dokumentacionit, dosja e secilit kandidat merret në shqyrtim dhe do të përzgjidhet si fitues, ai që ka të dhënat më të favorshme. Kriteri kryesor për të nisur studimet në një fakultet të dytë është ngjashmëria midis dy cikleve të studimit si dhe nota mesatare e diplomës së shkollës së lartë e secilit prej kandidatëve. E thënë ndryshe një kandidat që ka tashmë një diplomë të Matematikës te Shkencat e Natyrës, ka mundësitë më të mëdha për të fituar në një nga degët e Inxhinierisë te Universiteti Politeknik se ai që ka një diplomë Historie, por nga ana tjetër ai që është diplomuar për Histori, do të jetë preferencë kryesore për fakultetin e Drejtësisë.
Tarifat e studimit janë të ndryshme, në varësi të rëndësisë që ka diploma që ata kërkojnë të marrin.
(s.g/GSH/BalkanWeb)