E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet publike, sot zgjidhen drejtuesit e rinj

Kandidatët për rektorë dhe dekanë garojnë për mandatin 4-vjeçar.

Si do votojë stafi akademik, studentët dhe administrata.

Shkollat e larta hapin sot kutitë e votimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Plot 5 mijë pedagogë, 140 mijë studentë dhe 3 mijë punonjës të administratës do të vendosin me votë se cilët do të jenë rektorët, dekanët dhe shefat e departamenteve që do të mandatohen për 4 vitet e ardhshme. Pas një fushate dyjavore ku u prezantuan programet e kandidatëve në çdo fakultet, votimet nisin në orën 8:00 dhe përfundojnë në orën 16:00. Nëse në qendrën e votimit ka zgjedhës edhe pas kësaj ore, qendra shpall të mbyllur procesin e votimit me largimin e zgjedhësit të fundit, thuhet në rregullore. Sipas saj,  gjatë zhvillimit të procesit të votimit ndalohet rreptësisht përdorimi i mjeteve të ndryshme të komunikimit dhe pajisjeve të tjera elektronike, të cilat mund të komprometojnë procesin e votimit nga: anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, nga vëzhguesit, si dhe nga trupa e zgjedhësve. Çdo zgjedhës do të votojë vetëm nëse paraqet një dokument zyrtar identifikimi. Zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon në krah të emrit të kandidatit shenjën X ose + apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij, thuhet në rregullore.
Votat e pavlefshme
Rregullorja përcakton rastet kur fletët e votimit do të quhen të pavlefshme. Kur kanë shenja që nuk japin mundësi të identifikohet kandidati i përzgjedhur apo nuk janë fletë votimi të ofruara sipas rregullave të përcaktuara në këtë rregullore, si dhe në akte të tjera nënligjore në zbatim të saj, konsiderohen të pavlefshme. Po kështu, nëse mbajnë shenja që deklarojnë identitetin e zgjedhësit apo kur votohet për persona që nuk janë në listën e kandidatëve. Të pavlefshme do të jenë të gjitha ato fletë votimi që shprehin më shumë se një preferencë në listën e kandidatëve për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese. Nëse shënimi në fletën e votimit apo në të paktën një nga fletët e votimit bëhet jashtë dhomës së fshehtë, zgjedhësi nuk lejohet të fusë fletën e votimit në kuti, përcakton rregullorja. Kryetari i KZF-së merr këtë fletë votimi, shënon në pjesën e pasme fjalët e dëmtuar dhe e fut atë në zarfin fletë votimi të dëmtuara.
Trupa votuese
Votimi për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese bëhet me listë kandidatësh. Secili zgjedhës ka të drejtën e vetëm një vote për secilin post për autoritet drejtues. Kanë të drejtën e votës personeli akademik i punësuar me kohë të plotë, joakademik i punësuar me kohë të plotë dhe studentët. Pesha e votës së tyre është e ndarë në përqindje sipas formulës 75% për stafin akademik, 5% për atë joakademik dhe 20% për studentë. Sipas rregullores, votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si komision votimi në qendrën e votimit të fakultetit, në të cilën votojnë personeli akademik dhe joakademik. Për studentët ngrihen qendra votimi në varësi të numrit të tyre. Si rregull, për deri në 1 000 studentë ngrihet një qendër votimi. Komisioni i qendrës së votimit përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, nga të cilët 2  nga personeli akademik, i zgjedhur me short nga këshilli i njësisë kryesore, bazuar në propozimet e njësive bazë dhe një anëtar student, i cili përzgjidhet me short nga këshilli i njësisë kryesore midis dy kandidaturave të propozuara nga këshilli studentor i fakultetit përkatës, thuhet në rregullore. Konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese, rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%.  Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short, thuhet në rregullore. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese, rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.

Hafizi: Janë zgjedhje akademike, të tregohet qytetari

Mimoza Hafizi

Fushata shkoi ashtu siç e prisja. Unë i dija nëse mund ti quaj kështu pikat e mia të forta dhe të dobëta. Kemi ngritur problemet që na kanë shqetësuar, sigurisht dhe jemi përpjekur që bashkë me stafin të bëjmë një fushatë të qetë e të ndershme pa provokuar incidente. I përmbahem parimit se kemi të bëjmë me zgjedhje akademike dhe si përfaqësues të këtij komuniteti duhet të tregojmë vlerat tona. Kështu u shpreh dje për gazetën kandidatja për rektore në Universitetin e Tiranës, Mimoza Hafizi. Sipas saj, nuk janë veçuar fakultete ku monitorimi do të jetë më i fortë, por vëzhguesit janë shpërndarë gjithandej njësoj. Uroj që këto zgjedhje të tregojnë qytetari. Vëzhguesit i kemi shpërndarë njësoj në të gjitha fakultetet. Gjatë dy javëve besoj se kam përcjellë mesazhet që duhet të jepja, tha Hafizi. E pyetur për pritshmërinë në këto zgjedhje, ajo theksoi se gjëja më e rëndësishme është që procesi të shkojë normalisht, pa presione dhe si stafi akademik, ashtu dhe studentët të jenë të lirë në zgjedhjen e votës së tyre për secilin kandidat. Universiteti i Tiranës është elitar në të gjithë trupën që e përbën. Unë besoj në integritetin e këtij institucioni, vlerat e të cilit tregohen si tek pedagogët dhe studentët, tha Hafizi.

Kule: UT elitar, votoni atë që ju përfaqëson më mirë

Dhori Kule

Të gjithë së bashku besojmë në vlerat dhe parimet më të larta që përfaqëson Universiteti i Tiranës, institucioni lider i arsimit të lartë në Shqipëri. Të gjithë ne jemi krenarë që jemi pjesë e këtij institucioni që ka gjeneruar dhe do të gjenerojë brezat e elitës në të gjithë hapësirën shqipfolëse, këtë deklaratë bëri dje në mbyllje të fushatës rektori i aktual i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ai rikandidon për një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të këtij institucioni. Kule shtoi se idetë dhe mendimet e shprehura në çdo takim, si dhe komentet e shkëmbyera në mënyrë elektronike, kanë përforcuar objektivin kryesor të 4 viteve të ardhshme për rritjen e cilësisë së universitetit, duke avancuar kërkimin shkencor, përmirësuar infrastrukturën, gjithmonë duke pasur në fokus studentin. Unë do të jem sërish mbështetësi, përkrahësi, kolegu dhe bashkëpunëtori juaj në këtë rrugëtim. Ju ftoj të merrni pjesë në votimet e datës 20 shkurt 2012 për të votuar dhe për të mbështetur atë që ju përfaqëson më mirë, si dhe për të zgjedhur atë që mbron më mirë interesat e universitetit në të gjitha nivelet drejtuese të tij, tha Kule. Ai theksoi se fushata tregoi integritetin që përfaqëson trupa akademike dhe ajo studentore në universitetin më të madh në vend.

Kandidatet
Kandidatët për rektorë

Universiteti i Tiranës
Dhori Kule
Mimoza Hafizi

Universiteti Politeknik
Jorgaq Kaçani

Universiteti Bujqësor
Fatos Harizaj

Universi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›