Universiteti Bujqësor hap aplikimet për programet e doktoraturës në universitetet e BE-së

Universiteti Bujqësor i Tiranës, (UBT) me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, ka nisur bashkëpunimin me disa universitete në BE.
Ai u ofron 30 studentëve ekselentë mundësinë për të ndjekur programin e doktoraturës në Universitetin Giessen (Gjermani); Institutin IAMO (Gjermani); Universitetin Karlsruhe (Gjermani); Universitetin Hohenheim (Gjermani); Universitetin BOKU (Austri).
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, përshëndeti nismën si një rast i shkëlqyer për të thelluar më tej njohuritë në disiplinat përkatëse përmes shembujve më të mirë në BE.
“Nëse pasioni juaj është thellimi i dijeve në bujqësi dhe zhvillim rural, nuk duhet ta humbni mundësinë për t’iu bashkuar iniciativës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës mundësuar nga qeveria gjermane përmes GIZ për të aplikuar në programin e doktoraturës së UBT”, u shpreh zonja Krifca.
Aplikimet duhet të dorëzohen tek zyra e Projekteve në UBT brenda datës 22 shkurt 2022, sipas këtyre kritereve:
-Të zotëroni një master të shkencave në bujqësi, mjedis dhe menaxhim të burimeve natyrore, mjekësi veterinare, bioteknologji ushqimore, agrobiznes dhe zhvillim rural apo një diplomë ekuivalente me të;
-Të keni një vlerësim mesatar të përgjithshëm me notë mbi tetë
-Të keni mbrojtur një ndër gjuhët e huaja si anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht apo të keni ndjekur studimet e larta në një nga këto gjuhë
-Të keni angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë apo të jeni personel kërkimor në një institucion të kërkimit të zbatuar
-Të jeni nën moshën 40 vjecare
Pas përfundimit të doktoraturës, kandidatët duhet të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri për të kontribuar pranë Universitetit Bujqësor, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, apo institucioneve të tjera në Shqipëri.