E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti “Luigj Gurakuqi” në shkodër gati për fillimin e vitit të ri akademik

Rreth 10.500 studentë, në dispozicion të të cilëve do të jenë 174 pedagogë të brendshëm si dhe 362 të jashtëm janë gati të fillojnë vitin e ri akademik 2009-2010 në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. Sipas Rektorit të këtij universiteti, Prof. Dr. Artan Haxhi , janë marrë të gjitha masat e duhura për një fillim të mbarë të vitit akademik, i cili sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të fillojë me datë 12 Tetor. "Universiteti ynë në këtë vit akademik, në pikpamjet e infrastrukturës, është forcuar me laboratore të rinj, si dhe me përmirësimin e laboratoreve të tjera ekzistues. Për tu theksuar është krijimi i një laboratori të ri të informatikës, është plotësuar baza materiale në laboratoret e biologjisë, të kimisë dhe fizikës dhe së shpejti këtë vit akademik do të investohet për ngritjen e një laboratori për gazetarinë, informacionin dhe komunikimin duke krijuar një sistem  të plotë bashkëkohor me një investim prej 10 milion lekë",- thekson rektori Haxhi në prononcimin e tij. Në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës studiohet në 6 fakultete, në të cilat përfshihen 24 degë me rreth 7 mijë studentë të ditës, që ndjekin studimet me kohë të rregullt, ndërkohë që rreth 3500 janë studentë me kohë të pjeshme. Haxhi shpreh kënaqësinë që në dispozicion të këtyre studentëve është një staf pedagogësh mjaft i kualifikuar, ndër të cilët spikasin 17 pedagogë që kanë titullin Prof. Dr., 20 të tjerë janë Prof. As., 34 doktor shkencash, 53 pedagogë me master, 9 të tjerë me gradë shkencore. Ndërkohë që një tjetër element që tërheq vemendjen është fakti që në stafin e pedagogëve të këtij universiteti nga 174 pedagogë të brendshëm, 104 prej tyre janë femra. Haxhi flet gjithashtu edhe për kushtet që ofron ky universitet për studentët e tij, duke theksuar se përgjithësisht kushtet e procesit mësimor janë mjaft të mira. Një lajm i mirë për Universitetitn e Shkodrës sipas rektorit Haxhi është se, së shpejti pritet edhe miratimi nga qeveria shqiptare edhe i një projekti që po përgatitet nga specialistët e këtij institucioni për ndërtimin e "Kampusit Universitar", i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej  mbi 10 ha, në të cilin do të përfshihen të gjitha godinat mësimore dhe ato fjetore, pjesë e së cilës do të jenë edhe ambjente argëtuese, palestra, shtëpi kulture, etj, të gjitha sipas parametrave bashkëkohore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›