E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e votës, Klosi fton qytetarët të protestojnë para Kryeministrisë

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste paralajmëroi se nuk hyn në Parlament, pa u hapur kutitë duke komentuar se pushteti fsheh forcërisht të vërtetën e mbyllur në kutitë e votimit. Po ashtu, PS paralajmëron se do të përshkallëzojë qëndrimet e saj në çdo rrugë të vendit për të bërë të mundur që kutitë të hapen dhe e vërteta të dalë në dritë, që të mos ndodhë më që zgjedhjet të grabiten në këtë vend, që të mos ndodhë më që njerëzit të largohen nga puna për shkak se nuk kanë mbështetur pushtetin në zgjedhje. “Ftojmë qytetarët që të mblidhen në protestë, para Kryeministrisë në orën 17.00, pasditen e së shtunës, për t i thënë Sali Berishës se nuk mund të luajë me votën dhe liritë e shqiptarëve”, - tha dje sekretari për Organizimin në PS, Blendi Klosi. Sipas tij, të shtunën në orën 5 pasdite para Kryeministrisë, të gjithë shqiptarët që nuk duan të jetojnë nën një diktaturë të re dhe me një diktator të një stili të ri, janë të ftuar të jenë pjesë e manifestimit tonë, të bashkojnë zërin me ne për të bërë të mundur transparencën zgjedhore, për të çliruar votën nga korrupsioni shtetëror. Klosi vuri në dukje se raporti i OSBE-ODIHR thekson se në zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri një e treta e numërimit të votave është bërë keq dhe shume keq. Sipas Ligjit Zgjedhor, nëse dy anëtarë të KQZ kërkojnë të hapin kutitë e votimit, këto kuti hapen.

Ky lajm është publikuar: 09/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›