Pingpongu i Ramës me veten apo vetëkandidimi si femër në tangon e politikës nuk i japin garancinë se do të mbetet tek pista e protagonistëve
Teza e politikës së pingpongut nuk është kaq e re dhe nuk është e panjohur as për audiencën e mesme të Shqipërisë, e cila u rrit me propagandën bolshevike që kundërshtonte kursin e ri diplomatik të viteve ’70, teksa presidenti Nikson dhe diktatori Mao Ce Dun – secili për hesap të vet – mundohej të siguronte benefice politike nga takimi i mesit të viteve ’70. Por përpjekja e këtyre ditëve e Edvinit për ta paraqitur bojkotin e vet si një stratagjemë që synon të kompletojë një politikë më të madhe, e cila jo vetëm ka partnerë në skakierën vendase, por ka reminishenca edhe në politikën rajonale, është më shumë se mjerane. Porositja e një kaleci të PS-së për të shpallur “shprehjen e interesit” të Edvinit, për të marrë rolin e femrës në tangon e politikës shqiptare nuk është lexuar si një ulje pazari, as si një bipolaritet i pamenduar deri më tani, por thjesht si një skemë e ulët uzurpimi, nga ana e një protagonisti të së majtës, i cili ende s’ka mundur të jetë lideri i atij spektri politik. Tezat e pingpongut luajnë me hapësirat bosh, me ato zgavra që s’po i mbush dot política e ditës dhe që protagonizmi i grishësit do të mundet t’ia ofrojë si përmasë skakierës, por me bojkotin e thelluar, as Edvini dhe as kalecët e tij s’munden ta imponojnë vetveten si përfaqësues e aksionerë të përgjysmuar të politikës së ditës. Bojkoti i thelluar nuk përfaqësohet dot me një lojë pingpongu që luhet veç me vetveten. Askush s’mund të presë provat e Edvinit se deri sa thellë do të vejë marria e tij e “zërave nga lart”… është një perspektivë që s’u përshtatet ritmeve të reformave në vend, as frymës së koalicionit të ri qeverisës, dhe çështë më e rëndësishmja as përvojës së krijuar deri më tani për marrëdhëniet mes dy poleve të politikës shqiptare. Me “crash”-in e zgjedhjeve vendore të 2007-s u dhanë sinjalet e para se Edvin Rama nuk kuptonte gjë nga politika e shekullit XXI, por bojkoti i thelluar, që po praktikohet, pas çertifikimit në të gjitha instancat të humbjes elektorale të 28 qershorit, tregon se perspektiva e ofruar nga lidershipi aktual i së majtës është perspektiva e “crash”-it, perspektivë e mbështetur fort nga të tjerë ish-politikanë, që u nxorën jashtë loje nga raundi elektoral, meqenëse u bojkotuan nga zgjedhësit... Leximi nuk ka shumë enigma dhe vjen sërish tek konsiderimi i faktit se Edvini po kërkon një rol minor në një lojë hipotetike pingpongu, duke u lutur për rolin e jofavoritit, apo e thënë me një gjuhë kalecësh – tek roli i femrës në një duet tangoje – por ky është një kontribut i paragjykuar që s’tregon stadin aktual të politikës shqiptare dhe duhet bojkotuar, megjithë kërkesat e veta minimale. Askujt s’i duhet një kandidate-femër për duetin e tangos shqiptare. Gjithçka duhet merituar dhe bojkoti i thelluar mbetet rruga që nuk e çon në pistë të humburin e 28 qershorit.
...