E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Politeknik do të pranojë 10% studentë më shumë

Rektori Jorgaq Kaçani flet edhe për ambicien e ndërtimit të kampusit të ri universitar

Universiteti Politeknik i Tiranës, për vitin e ri akademik 2010-2011 do të pranojë 10 për qind më shumë studentë se sa një vit më parë. Kjo do të bëhet e mundur falë stafit të ri të përzgjedhur për vitin e ri akademik nga drejtuesit e këtij universiteti. Ndërkohë që po planifikohet edhe ngritja e një kampusi të ri universitar për politeknikun, që pritet të zgjerojë kapacitetet e tij si në pranime të reja, ashtu edhe në punët laboratorike për studentët.

Rektori i UPT-së, Jorgaq Kaçani, njëkohësisht kryetar i Konferencës së Rektorëve, shprehet se shtimi i kuotave të pranimit të studentëve të rinj për këtë vit prej 10 për qind më shumë është bërë duke u mbështetur edhe në numrin më të madh të pedagogëve që ka punësuar ky institucion. Sipas Kaçanit, Universiteti Politeknik i Tiranës i ka të gjitha kapacitetet dhe infrastrukturën e domosdoshme për të përballuar këtë numër studentësh të rinj.

Nga ana tjetër, Kaçani ka folur edhe lidhur me ambicien për fillimin e punimeve të kampusit të ri universitar, që do të krijojë hapësira të reja për studentët dhe stafin e pedagogëve të këtij universiteti. Rektori Kaçani ka theksuar se deri tani është bërë një punë e madhe në këtë drejtim dhe mendohet që vitin tjetër të nisë edhe puna për këtë kampus, që pritet të krijojë një dimension të ri për një nga universitetet më të mëdha dhe më të kërkuar në vend.

Studentët e këtij universiteti janë të angazhuar në disa projekte. Një ndër to është edhe ai i të rinjve që frekuentojnë degën e Arkitekturës. Vetëm pak kohë më parë, punimet e tyre të prezantuara në një konferencë të zgjeruar, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të biznesit shqiptar, u vlerësuan dhe madje disa do të përdoren nga sipërmarrësit në aktivitetin e tyre privat.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›