Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nis vitin e ri akademik me 953 studentë të rinj

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nisi sot vitin e ri akademik 2026–2027, me një ceremoni ku morën pjesë studentë, pedagogë, staf administrativ, prindër dhe të ftuar.
Për 953 studentë, kjo ditë shënon nisjen e një kapitulli të ri në rrugëtimin e tyre akademik, ndërsa Universiteti i Shkodrës vijon të mbetet një hapësirë e rëndësishme e dijes, formimit profesional dhe zhvillimit të të rinjve.
Në fjalën përshëndetëse, rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Blerta Dragusha, uroi mirëseardhjen studentëve të rinj, duke theksuar rëndësinë e besimit që ata kanë zgjedhur t’i japin universitetit.
Dragusha nënvizoi se zgjedhja për të studiuar në Universitetin e Shkodrës përbën një vlerësim, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi, duke e cilësuar besimin e të rinjve si më të rëndësishëm se vetë statistikat.
Sipas të dhënave të regjistrimeve, këtë vit në Universitetin e Shkodrës janë regjistruar 937 studentë nga Shqipëria dhe 16 nga trojet shqiptare. Numri i studentëve nga vendi është rritur nga 870 në vitin e kaluar në 937 këtë vit, duke shënuar një rritje prej rreth 8%.
Interes i veçantë është evidentuar për programet e shkencave teknike dhe mjekësore. Programet e Infermierisë, Infermieri-Mamisë dhe Edukimit Fizik kanë realizuar 100% të kuotave, ndërsa Ekonomiku ka arritur në 84% dhe Informatika në 83%. Edhe programet me karakter profesional kanë plotësuar pothuajse të gjitha kuotat e parashikuara.
Një tjetër tregues pozitiv është programi i ri “Business Administration” në gjuhën angleze, i cili në vitin e parë të ofrimit ka realizuar 85% të kuotave.
Ndërkohë, këtë vit rikthehet programi i Fizikës, pas dy vitesh, ndërsa vijon interesimi për programet e mësuesisë.
Në ceremoninë e hapjes përshëndeti edhe drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit, Brisela Kadia, e cila përcolli urimet për studentët në nisjen e vitit të ri akademik dhe vlerësoi rëndësinë e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit institucional.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte prezantimi dhe përshëndetja e studentëve ekselentë, si dhe e studentëve të ardhur nga trojet shqiptare, të cilët i bashkohen Universitetit të Shkodrës me rezultate të larta, energji të reja dhe perspektiva të ndryshme.
1 nga 7/k.s/r.e/a.f/