E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, 182 vende bosh

Në të gjitha universitetet e vendit mendohet se ka rreth 1000 kuota të paplotësuara. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës më shumë vende të lira ka tek Gjuhët e Huaja dhe Ekonomiku. 

TIRANE- Mbyllet faza e dytë e regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë. Në të gjitha universitetet e vendit mendohet se ka rreth 1000 kuota të paplotësuara, ku në krye të listës janë normalisht universitetet e rretheve. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës në të tetë fakultetet e tij, në këtë fazë të dytë kanë mbetur vetëm 182 vende të paplotësuara, në krahasim me fazën e parë që ishin plot 636 kuota të lira. Në krye të listës për këtë fazë, me numër më të madh të vendeve të paplotësuara është Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, pasi ka 56 vende të lira. Në këtë fakultet më shumë vende të lira kanë degët Italisht, me 16 vende bosh, frëngjisht, 8 dhe gjermanisht me 7. Ndërsa, fakulteti që ka më pak vende të paplotësuara është Fakulteti i Mjekësisë, ku ka një vend të lirë në Stomatologji dhe një në Mjekësi të përgjithshme, pra vetëm dy vende të lira si dhe Fakulteti i Drejtësisë, me 3 vende të paplotësuara. Më pas, me më shumë vend bosh vjen Fakulteti i Ekonomisë dhe ai i Shkencave të Natyrës, respektivisht me 36 dhe 35 vende të lira. Ndërsa, Fakulteti i Histori-Filo-logjisë ka vetëm 12 kuota të lira, ai i Shkencave Sociale ka 14 të tilla, ndërsa Fakulteti i Infermierisë ka 24 vende bosh. Pra, këto vende të lira që janë në fakultetet e Universitetit të Tiranës së bashku me kotat e universiteteve të rretheve do të mund të listohen në formularin A3, që pritet të dalë nga mesi i muajit tetor nga Ministria e Arsimit edhe e Shkencës. Në këtë mënyrë u jepet mundësia të gjithë atyre studentëve që nuk kanë mundur të fitojnë asnjë lëndë në universitetet e vendit që të rifutën sërish në garë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›