E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti, regjistrohen 85 % e fituesve

Autori i Lajmit: red.
Universiteti "Aleksandër Moisiu" i qytetit të Durrësit pritet të pranojë 1270 studentë të rinj për vitin akademik 2008-2009, nga të cilët në listat paraprake janë regjistruar 86 për qind e tyre. Procesi 10-ditor i regjistrimit paraprak përfundoi dy ditë më parë dhe, sipas të dhënave, nga 1270 kuota të paracaktuara për vitin e parë të dy fakulteteve dhe shkollës së lartë profesionale të këtij universiteti u regjistruan gjithsej 1093 studentë, ose 86 për qind e studentëve të parashikuar në listat e paraqitura. "Më 25 shtator pritet të shpallet lista zyrtare e studentëve që do të ndjekin degët e këtij universiteti", thanë burime nga sekretaria e Universitetit të Durrësit. Rreth 55 për qind e studentëve të regjistruar vijnë nga qyteti i Durrësit dhe i Tiranës dhe zonat përreth tyre, ndërsa nuk mungojnë studentë nga të gjitha rrethet e tjera të vendit. Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës u hap në vitin akademik 2006-2007 dhe ka fakultetet e Edukimit dhe të Ekonomisë e Administrimit me pesë degë gjithsej, si dhe shkollën e lartë profesionale me 8 degë. Këtë vit do të hapet për herë të parë Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën FASTIP. Në vitin akademik 2008-2009 numri i përgjithshëm i studentëve në auditoret e universitetit "Aleksandër Moisiu" do të arrijë në rreth 3600, pa llogaritur 90 studentët e vitit të parë të FASTIP.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›