Ura- Vajgurore, guroret rrezikojnë shembjet e banesave të fshatit Konesbaltë
Dy guroret e ngritura pranë fshatit Konesbalt të Bashkisë së Urës- Vajgurore, janë bërë problem tepër shqetësues për banorët këtij fshati. Shpërthimet e fuqishme jashtë normave të lejuara nga guroret kanë tronditur 1500 banorët e fshatit Konesbalt. Të indinjuar për këtë problem, banorët e dëmtuar thanë se qeveria nuk duhet të japë leje për ushtrim të aktivitetit të guroreve që janë jo me shume se 500 metër larg shtëpive të tyre.
Si pasojë e dëmeve të sjella nga shpërthimi masiv banorët kanë kërkuar para disa javësh ndërhyrjen e policisë për ndalim të shpërthimeve masive. Përveç ndotjes së ambientit, tashmë banorët thonë se kanë frikë se një ditë do tju shemben shtëpitë. Kryeplaku i fshatit Konesbaltë, Fatbardh Danushi thotë se pas shpërthimit të ndodhur, të dëmtuarit bënë një relacion të dëmeve të tyre dhe kërkuan moskryerjen e një aktiviteti të tillë afër banesave. Për zgjidhjen e këtij problemi nuk është marrë asnjë masë edhe pse në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Urës Vajgurore u ngrit një komision për verifikim dhe ndalim të shpërthimeve masivë nga guroret. Në lidhje me këtë problem kryeplaku i fshatit Konisbaltë, njëkohësisht dhe këshilltari i këshillit bashkiak, Fatbardh Danushi tha se të dëmtuarit e fshatit kanë bërë një peticion dhe e kanë nisur në Bashkinë e Urës Vajgurore duke kërkuar marrje të masave për ndalim të shpërthimeve në masa të konsiderueshme nga guroret që kryejnë aktivitetin e tyre afër banesave. Por banorët që kanë pësuar dëm, ndihen të tronditur për faktin se këto shpërthime kanë për të ndodhur sërish, ndërsa kërkojnë marrjen e masave nga institucionet përkatëse, ndryshe do të jene ata vetë që do të zgjidhin këtë problem në rrugë private. Gjatë shpërthimit të parë, banorët që kanë shtëpitë afër gurores që kreu shpërthimin e fuqishëm, thonë se kanë konfliktuar me pronarin kur ndodhi shpërthimi i parë, pasi patën dëmtime në banesa me çarje muresh dhe trembje të fëmijëve. Duke kërkuar që të merren masa, banorët thonë se nuk ankohen më nga ndotjet se shpërthimet po u dëmtojnë ekonomikisht shtëpitë për të cilat kanë punuar vite të tëra në emigrim për ti ndërtuar.