E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Kombit, në tablo pikture

Artistët e rinj do të kenë mundësi që të prezantojnë punimet e tyre në pikturë për rrugën Durrës-Morinë, e cila tashmë është një prej segmenteve më të rëndësishëm rrugor. Rruga Durrës-Morinë, një rrugë historike që lidh Kosovën me Shqipërinë do të jetë në fokus të ekspozitës Rruga e Kombit, një inciativë respektivisht e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në një njoftim për median, duke bërë të ditur organizimin e kësaj ekspozite, dy dikasteret ftojnë artistë të rinj nga  dy vendet për të paraqitur punimet e tyre. Artistët pjesëmarrës që duhet të jenë nga 17-28 vjeç duhet të dorëzojnë punimet e tyre në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë nga data 25 maj -3 qershor. Punimet që pranohen në këtë ekspozitë do të jenë të disiplinave të ndryshme si pikturë, grafikë, fotografi, skulpturë dhe video instalacion. Ato do të përzgjidhen nga një komision profesional i formuar nga MTKRS. Kriteri bazë për përzgjedhjen dhe vlerësimin e punimeve do të jetë niveli artistik mbi tematikën Rruga e Kombit. Punimet e përzgjedhura, bashkë me autorët e tyre do të marrin pjesë në hapjen e ekspozitës, në përfundim të së cilës do të jepen dhe dy çmime.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›