Uragani "Irene" shtyn mbledhjen e KS-së për Kosovën

Uragani “Irene” shtyn mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga selia e OKB-së në Nju Jork e cila thekson se mbledhja do të shtyhet pasi situata në këtë shtet është emergjente pas uraganit shkatërrues i cili shkaktoi dëme të mëdha.
Mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej paraditen e sotme, por për shkak të problemeve në Nju Jork me pasojat nga uragani “Irene”, u vlerësua se nuk ka kushte për të mbajtur seancën në OKB.
Drejtuesit e KS-së të OKB-së vendosën që seanca të mbahet ditën e nesërme, ku do të dorëzohet raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun për situatën në Kosovë.
Gjithashtu në mbledhje do të diskutohet edhe për situatën në veriun Kosovës. Në këtë seancë do të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj si dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç.