Gjermania përkrahë Kosovën drejt BE-së

Kjo u bë e ditur, pas përfundimit të bisedimeve ndërqeveritare për bashkëpunim politik zhvillimor në mes të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, ku kjo e fundit ka zotuar mjete në vlerë prej 28,3 milionë eurove, të cilat do t’i shërbejnë implementimit të projekteve në pikërëndesat përkatëse për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, konkretisht për fushën e energjetikës, ujërave dhe arsimit themelor.
“Me qëllim të afrimit me standardet e BE-së është iniciuar në mënyrë të përbashkët edhe menaxhimi i ujërave të zeza. Pastrimi i ujërave të zeza nuk është bërë deri tani në Kosovë. Në kuadër të një projekti në fushën e energjetikës financohet modernizimi i mëtejmë i rrjetit të transmisionit të energjisë për popullatën dhe mbështetet integrimi sistemit në tregun rajonal të energjisë. Po ashtu edhe Fondi për Sigurimin e Depozitave, i cili është themeluar brenda bashkëpunimit kosovaro-gjerman do të rritet për depozitat e vogla. Planet e tjera të rëndësishme kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në zonat rurale, nxitjen e arsimit profesional, si dhe arsimit themelor”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë.
Si projekt i ri është iniciuar themelimi i një qendre të takimit për të rinjtë në Mitrovicë, e cila do t’i mundësojë të rinjve nga të dy anët e lumit Ibër takime dhe shkëmbime me njëri-tjetrin.
Ndryshe, ky është viti i pesë i bisedimeve bilaterale me Gjermanin, e cila është edhe donatori i dytë më i madh në Kosovë.