Urdhër i presidentit Obama për krijimin e një ekipi elitë hetuesish
Presidenti amerikan Barak Obama ka urdhëruar krijimin e një ekipi elitë hetuesish për të marrë në pyetje të dyshuarit kryesor për terrorizëm.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se ekipi do ta ketë bazën në shtabin e FBI-së dhe do të përbëhet nga ekspertë prej disa agjencive të zbulimit dhe rendit. Sipas udhëzimeve të reja, hetuesit duhet të qëndrojnë brenda parametrave të Manualit të Ushtrisë Amerikane në Terren.
Grupi do të mbikqyret nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duke e lejuar Shtëpinë e Bardhë të ketë kontroll të drejtpërdrejtë mbi të.
Presidenti Obama tashmë ka ndaluar disa masa si simulimi i mbytjes në ujë, e cila u lejua nga administrata e mëparshme e presidentit Xhorxh Bush, i cili nuk lejon teknika të tilla si muzika me zë të lartë apo privimi nga gjumi.
Ndërkohë, gazeta Nju Jork Tajms njofton se Departamenti i Drejtësisë po rekomandon rihapjen e disa rasteve për abuzimet e të burgosurve gjatë administratës së ish presidentit Bush, çka mund të hapë mundësinë që disa nga punonjësit dhe kontraktorët e CIA-s të ndiqen penalisht.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se vendimi për të rihapur çështjet do të jetë në dorën e prokurorit të përgjithshëm Erik Holder.
Po sot do të publikohet një raport i hetuesit të brendshëm të CIA-s ku do të jepen hollësi mbi teknikat e debatueshme të përdorura gjatë administratës së presidentit Bush. (ze)