E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Burgajt bllokon lëvizjet në rrugore

Për të shmangur abuzimet në emërime, struktura e re e qarkullimit nis me forcat policore aktuale

Lëvizjet e shumta në polici kanë sjellë edhe tentativat e para për abuzime, kështu që drejtori i Përgjithshëm është detyruar të nxjerrë një urdhër për kufizimin e tyre. Bëhet fjalë për lëvizjet në grada të ulëta, ku emërimet bëhen nga vetë drejtorët e policisë në qarqe, pa pasur nevojë për firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Sipas të dhënave, situata të tilla vijnë përherë kur krijohen struktura të reja të Policisë së Shtetit.

Këtë radhë ka të bëjë me strukturën e re të policisë rrugore. Siç është përcaktuar në strukturën e re, njësitë e policisë rrugore në çdo qark, tashmë janë ndarë përfundimisht nga strukturat vendore të drejtorive të policisë. Ato kanë varësi direkt nga qendra në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat mësohet se duke u bërë kjo ndarje, shumë efektivë kanë kërkuar që të kalojnë në strukturat e policisë rrugore, pavarësisht se punonin në strukturat e rendit. Madje, dyshohet se ata kanë përdorur mënyra të ndryshme për të arritur qëllimet e tyre për t’u emëruar në struktura të ndryshme.

Gjithashtu, veç kësaj skeme, ekziston edhe një tjetër. Burimet policore shpjegojnë se drejtuesit e policisë, kur ndodhin ndryshime të tilla priren të mbajnë me vete efektivët më të mirë dhe të largojnë ata që kanë rezultate më të këqija. Kështu, një drejtor qarku mund të kërkojë që nga qarkullimi rrugor të marrë efektivë të mirë, duke i kaluar në strukturat e rendit dhe ata me rezultate më të dobëta, t’i kalojë në strukturat rrugore, për arsye se nuk do të ketë përgjegjësi për ta.

Të dyja këto skema sjellin abuzime për strukturat e policisë dhe që mund të sjellin dështime në strukturën e re të policisë shqiptare. Për këtë qëllim, duke marrë shkas edhe nga herët e tjera, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i ka paraprirë me një urdhër. Ai ka kërkuar nga të gjithë krerët vendorë të policisë që mos të kryhet asnjë lëvizje e efektivit nëpër struktura, duke bërë emërime të reja. Urdhri është dhënë që lëvizjet të mos kryhen që nga data 15 qershor, deri në një urdhër të dytë po nga kreu i policisë. Madje, urdhri ka shkuar edhe më tej, duke shpjeguar se nëse kryhen lëvizje të tilla pas kësaj date, atëherë ato nuk do të merren parasysh dhe efektivët do të kthehen në vendet ku kanë qenë. Këto lëvizje pritet të kryhen kohë më vonë, kur të fillojë vlerësimi i strukturave të reja të policisë rrugore.

Megjithatë, për të qenë pjesë e kësaj strukture dhe për t’u emëruar në funksione të veçanta nuk do të jetë e lehtë. Sipas strukturës së re, punonjësit e policisë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, duke filluar që nga vjetërsia në shërbimin e policisë rrugore, njohja e legjislacionit në fuqi, (Kodit Rrugor), paraqitja normale e oficerit të policisë, dëshmitë për drejtim makine dhe motori, si dhe aftësitë e tyre në manovrim, pra njohës të mirë të drejtimit të mjetit.

Për këtë, pas implementimit do të zhvillohen edhe trajnime të veçanta, që nga njohja dhe përdorimi i pajisjeve të veçanta e deri te sjellja në rrugë. Më pas, ata do u nënshtrohen testimeve të veçanta për të vlerësuar kualifikimet përkatëse të tyre. Aktualisht, nga burimet mësohet se implementimi i saj do të përfshijë edhe ndarjen dhe marrjen e godinave në varësi të Drejtorisë së Policisë Rrugore. Megjithatë, ky nuk është projekti i fundit i policisë rrugore, pasi mendohet që ky projekt të zgjasë deri në aftësimin e Patrullës së Përgjithshme për të kontrolluar trafikun rrugor, e për të sjellë parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja të rënda, me qëllim mbajtjen nën kontroll të parametrave ndërkombëtarë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›