Gjinushi: Nisma e OSBE-së, veprim i pamatur
Pakënaqësia e opozitës në raport me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj situatës në Shqipëri thellohet duke provokuar edhe qëndrime zyrtare. Aleati i Partisë Socialiste, socialdemokrati Skënder Gjinushi, u shpreh dje kundër nismës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë për nisjen e reformës zgjedhore, duke nënvizuar se hapa të kësaj natyre, anashkalojnë transparencën e 28 qershorit, e cila është thelbësore për perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Shpreh mospajtimin dhe indinjatën ndaj veprimeve të pamatura të misionit të OSBE-së në Tiranë. Të kërkosh reformë zgjedhore, pa bërë transparencën e zgjedhjeve, pa evidentuar më parë manipulatorët politikë të tyre është një kundërvënie e hapur ndaj kërkesës kushtetuese të opozitës dhe rezolutave të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, që kërkojnë hetim të zgjedhjeve dhe nxjerrjen e shkaktarëve të manipulimit. Kjo tregon që misioni i OSBE-së është bashkëpërgjegjës për manipulimet e 28 qershorit dhe kërkon të mbulojë dështimet e veta. Pra, përfundimisht nuk ka reformë pa transparencë, nuk ka reformë me këtë KQZ”, theksoi kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi. Ky sulm ndaj OSBE-së në fakt rikujton atë të kreut të Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, i cili madje kaloi edhe në thirrje personale ndaj kreut të dikurshëm të Prezencës së OSBE-së, Osmo Lipponen. Reagimi i socialdemokratit vjen vetëm një ditë pasi KQZ ka sugjeruar krijimin e Forumit të Komisionerëve Zgjedhorë që në vetvete përfaqëson miratimin e Prezencës së OSBE për nisjen e reformës zgjedhore dhe lënien pas të problemit politik të artikuluar nga opozita për zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit.
#