Urdhri i Ramës, bashkiakëve të tij: “28 Nëntori në hije!”
Rikujtojmë çka bërë Rama plot një vit më parë
Falë atij kobi që ngjau 35 vite më parë, kur Enver Hoxha, për të ruajtur kolltukun e tij të përgjakur, nuk e bëri destalinizimin, si në vendet e tjera të Europës dhe të kontinenteve të tjera të rruzullit, popullit tonë i ranë në kurriz fatkeqësi kombëtare të njëpasnjëshme. I kemi përmendur pasojat e asaj mendësie që na u ngjit si një kancer jo vetëm në pjesën epidermike të organizmit, por thellë, nën lëkurë.
Tani le ta konkretizojmë temën te 28 nëntori i një viti më parë. Edi Rama, në atë kohë, drejtonte jo vetëm bashkinë e Tiranës, por edhe bashkitë e majta të të gjithë vendit. Gazeta “55”, për këtë datë të shënuar, kishte vërejtur diferencimin ndërmjet asaj feste kombëtare dhe festës së 29 nëntorit.
Tashmë jemi në 2011-n. Ishte harruar 1991-shi, kur ekstravaganti E. Rama ulërinte dhe shkruante kundër enverizmit, kundër anëtarëve të PPSh-së që duheshin varur në litar, kundër historiografisë komuniste që nuk pranonte luftën civile, kundër Ramiz Alisë të cilin e diskreditonte me disa përrallëza me peshq të kuq e me peshkaqenë! Tanimë e kemi të hedhur nga njëri skaj në tjetrin! Në kohën kur Stalinit i kishin mbetur besnik vetëm organizatat revolucionare terroriste të tipit “Brigadat e Kuqe” në Itali, në Gjermani etj, apo edhe terroristët e “17 Nëntorit” në Greqi, në Europën demokratike bënin përjashtim edhe disa terroristë të P. Socialiste të Mira Markoviçit (gruas së Sllobodan Millosheviçit) në Serbi që tani, në Europën e demokratizuar, gjejnë strehim në qarqet komuniste vendase, për të mos iu dorëzuar Gjykatës së Hagës.
Qysh në kohën kur ishin deputetë në parlamentin pluralist Tao-Tao me të ndërkallurit e Ramiz Alisë, komunistët tanë bënë namin kur u kërkua t’i hiqej ylli i kuq flamurit tonë, gjë që nuk u arrit dot me emblemat e tyre as në qeverisjet e pushtuesve, kur flamurit iu hoqën shpatat e liktorit, me mëtimin se vendimi për vendosjen e tyre nuk ishte botuar në Gazetën Zyrtare shqiptare. Flamuri kombëtar, pa shenja shtesë, nuk ishte respektuar nga regjimi komunist i E. Hoxhës. Madjé u përdhosën edhe festat. 29 Nëntori u dekretua si festa primare, për koincidencë datash me festat jugosllave.
Të gjitha këto shëmtira u pasqyruan edhe plot një vit më parë me festën e 28 Nëntorit, me urdhër kategorik të kryetarit të bashkisë së Tiranës, fermani i të cilit bënte ligjin në bashkitë majtiste të qarqeve. I pamë në ekranet televizive qytetet e këtyre bashkive me atmosferën aspak festive, për të nderuar flamurin kombëtar që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në shtëpitë private ishte ngritur ky flamur, por me festë të munguar. I gjithë Bulevardi Dëshmorët e Kombit, si edhe vazhdimi i tij në Bulevardin Zog I, kishin gjithsej dy-tre flamuj, sa për të thënë. Asnjë aktivitet përkujtimor.
Kësaj gjendjeje si në zi, mund t’i jepte fund qeverisja demokrato-integruese. Por do të hapej debati i zakonshëm se ndërhyhej në pavarësinë e pushtetit vendor! (Përse në Shkodër e, veçanërisht në Prishtinë, 28 Nëntori u festua në mënyrë dinjitoze?). Nuk do të ishte e vështirë për Qeverisjen qendrore, që t’i mbushte me flamuj kombëtarë dhe të organizonte festa me aktivitete artistike në të gjitha ato vende ku mbretëroi shkretëtirëzimi, i vënë në zbatim në atë se edhe njerëzit duhet të festojnë me urdhër nga lart (të opozitës megalomane)!
Kjo blasfemí u kërkua që të vijonte edhe në festimin e ditës së liberalizimit të vizave, një festim i madhërishëm, ashtu siç e meritonte, nga mbarë populli ynë, kur ky tregoi entuziazmin e vet të përligjur, paçka se Preç Zogaj, në vigjilje të kësaj feste, ishte “i merakosur” që të festohej “me masë”, me karar! Fjalët e këtij zëdhënësi nën rrogoz – dhe hapur fare, madjé - të mendimeve të E. Ramës, që të mos binim në triumfalizëm(!), - domethënë që të mos gëzoheshim si të na donte qejfi por vetëm “me miratim të opozitës(!)”, - u deshifruan menjëherë, në të gjithë përmbajtjen e tyre qëllimkeqe...
Sipas kësaj mendësie, duhej të zhbëhej (për më tepër propagandistët e nihilizmit ishin të prirur që, më saktësisht, të bojkotohej), statusi për vendin kandidat në BE. Edi Kristaq Rama, pavarësisht atyre karagjozllëqeve të para me antikomunizëm “të zjarrtë” dhe me ekstremizëm kundër veteranëve enveristë (!), tanimë (2010) ekzaltonte 29 nëntorin ndaj 28 Nëntorit. Si për të bërë një kontrast politik të dukshëm, 29 nëntori i festës jugosllave, me urdhër “nga lart”, llamburiti nga ndriçimi, sikur të ishte ditë beharore, me diellin përvëlonjës në zenit e me banderola pëllëmbë e pëllëmbë për të kënaqur veteranët dhe veten e tij! Ata veteranë, për të cilët kishte “dekretuar” sentencën kapitale! Kështu ia thotë truri atij që kërkon postin e kryeministrit, pa pritur se çdo të thotë Kongresi i PS-së për postin e tij të lëkundur të kryetarit, që po e akuzon për manipulime votash për ata që do të zgjidheshin për në Kongres, kur mjaft socialistë po i lënë puplat qysh taní! Kësaj i thonë se ai është i papranueshëm në fshat dhe ai kërkon për nuse të bijën e të parit të fshatit, që ishte kryekomunari...
***
Pas një viti, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, do të kemi një festë mortore më pak, por një festë të lavdishme më shumë: Atë të 28 Nëntorit të Ismail Qemalit me flamuj të panumërt kombëtarë, pa yllin e kuq të cilin shkaba dykrenore nuk e pranoi as në burgun mizor të Spaçit.