Andis Harasani: “Incidentet në Kombinat, nga autorë të lidhur me botën e krimit”

Deputeti Andis Harasani do të depozitojë një padi penale për personat që shkaktuan incidentin e mbrëmjen e të premtes gjatë takimit që ai dhe deputeti Arben Malaj, po zhvillonin me socialistët e zonës së Kombinatit në kryeqytet. Sipas Harasanit, bëhet fjalë për ngjarje të inskenuar, pasi disa persona me precedentë penalë, të skeduar dhe të dënuar, për trafik lëndësh narkotike, janë kontraktuar nga persona të tjerë për këtë qëllim. Ndaj, deputeti socialist u kërkon publikisht autoriteteve shtetërore të veprojnë.
“Më vjen keq për incidentin, pasi është një incident që në skenën politike shqiptare s’ka ndodhur as në vitet ’96 – ’97, që kanë qenë vitet më të ashpra. Do të doja t’i bëja thirrje Kryeministrit të Republikës, Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të marrin masat urgjente, për të zbuluar autorët e atij inskenimi të turpshëm. Personat janë të identifikuar, pasi janë persona të lidhur me botën e krimit, persona të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe të dënuar për këtë, kështu që, besoj se është e lehtë që të zbulohen. Mund t’i drejtohem edhe prokurorisë, për të ngritur një akuzë për këta persona”, u shpreh Harasani.
Sipas disa pjesëmarrësve në këtë takim, personat që shkaktuan incidentin janë mbështetës të deputetit socialist të zonës, Sajmir Tahiri. I pyetur lidhur me këtë fakt, deputeti Harasani u shpreh: “Unë besoj se kolegu Tahiri është shumë i zënë me detyrat e ngarkuara, qoftë në krye të FRESSH, në krye të Forumit të Gruas, në krye të Tiranës. Nuk besoj se ka patur kohë dhe nuk shoh asnjë arsye se pse kolegu Tahiri duhet të prishë takimin e dy kolegëve të tij”.
Deputeti Harasani komenton edhe largimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Vlorës, Kujtim Sulçe, ku dhe shpreh keqardhje, për shkëputjen e të gjithë njerëzve me kontribute nga Partia Socialiste. Sipas tij, duhet të punohet për të mbajtur këto vlera dhe jo duke sanksionuar me statut ngritjen e strukturave policor që të mbrojë votat.
“Ndjej vetëm keqardhje. Gjithsesi besoj se duhet të jemi të ndershëm sepse ka patur largime nga PD që kanë ardhur në PS dhe ne nuk i kemi quajtur tradhtarë apo të “shitur”. Besoj se duhet të gjejmë mënyrën që të mos ndodhin më, por gjithsekush ka të drejtën e tij, gjithsekush kupton se pse nuk jemi ne në pushtet, apo pse nuk kemi fituar aq vota sa kemi menduar. Problemi është si do arrijmë t’i mbrojmë këto vota, jo duke krijuar një polici paralele, një inskenim listash, por duke kërkuar votën çdo qytetari shqiptar, duke i dhënë një alternativë qeverisëse shumë më të mirë se kjo që kemi sot”, tha Harasani.
Duke parë si opsion të mundshëm në kushtet ku ndodhet Partia Socialiste, krijimin e një force të re politike, Harasani thotë se personalisht do të punojë për modernizimin e saj dhe së bashku me kolegë të tij, janë shumë pranë këtij synimi.
“Kam dëgjuar në shtyp për partinë e re. Çdo opsion është i mundshëm, por ne kemi disa vite që luftojmë për demokratizimin e PS-së, besoj se sot jemi shumë më pranë këtij demokratizimi se sa qenë 3 vjet përpara dhe nuk shoh arsye se pse duhet të krijohet një parti e re, aq më shumë kur pasojat e një çarje të re të partisë, besoj se janë evidente për të gjithë”, përfundon Andis Harasani.