E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Topallit: Në provim administrata e Kuvendit

Përdorimi i rezultateve të këtyre testimeve si përcaktuese për vazhdimësinë ose jo të punës bie në kundërshtim me statusin e nëpunësit civilë

A pabazuar në asnjë referencë ligjore, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, urdhëron përmes një shkrese testimin e gjithë administratës


TIRANË - Kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të marrë në provim administratën e Kuvendit. Një mënyrë për të evidentuar më të mirët e për t'i motivuar, një justifikim për një operacion spastrimi të kundërshtarëve politikë dhe shfryrjen e administratës së ngarkuar së tepërmi para fushatës elektorale, apo edhe të dyja bashke?


Nuk dihet me siguri. E sigurt është, që në bazë të dy urdhrave të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Marlind Myftiu, pjesa kryesore e administratës së Kuvendit do të testohet për njohuritë mbi Kushtetutën, praktikat e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e vendit, përafrimin e legjislacionit, por edhe gjuhët e huaja dhe rezultatet e këtij testimi do të jenë bazë për vazhdimësinë e punës së këtyre punonjësve në pozicionet përkatëse.


Urdhri nr. 1


Pavarësisht se pa u bazuar në asnjë referencë ligjore dhe në kundërshtim me statusin e nëpunësit civil, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit me anë të një urdhri të nxjerrë në datën 7 prill 2010, i bën me dije të gjithë shërbimit legjislativ të këtij institucioni se për të mbajtur vendet e tyre të punës shumë shpejt do t'i nënshtrohen një testimi të njohurive të tyre mbi fushën juridike. Argumenti i dhënë prej tij në letër është sigurimi i përmbushjeve të detyrave më mirë.


"Për të siguruar përmbushjen e detyrave me një cilësi më të lartë të parashikuar në përshkrimin e punës për secilin prej pozicioneve të stafit të shërbimit dhe për të evidentuar nivelin profesional stafi i shërbimi legjislativ do t'i nënshtrohet një testimi mbi njohuritë e domosdoshme që zotërohen dhe aplikohen prej tij në punën e përditshme", - thuhet në këtë urdhër që mban numër protokolli 964.


Më tej, duke detajuar kriteret e marrjes në provim për secilin prej kategorive të këtij shërbimi, Myftiu në letrën e vet thekson se këshilltarët juridikë do të testohen mbi njohuritë e azhurnuara në lidhje me Kushtetutën, Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit, Ligjet kryesore organike të institucioneve kushtetuese, kodet dhe pjesë të tjera të legjislacionit shqiptar, përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së. Gjithashtu, këshilltarët juridike do t'i nënshtrohen një provimi edhe për mënyrën e shkrimit ligjor dhe draftimin, hartimin e opinioneve ligjore mbi një arsyetim ligjor dhe përgatitjen e prapësimeve apo mbrojtjes ndaj kërkesave apo kërkesë padive.


Pjesë e këtij testimi do të bëhen edhe këshilltarët dhe sekretarët e komisioneve të përhershme parlamentare të cilët gjithashtu do të merren në provim për të kontrolluar njohuritë në lidhje me Kushtetutën, Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit, Ligjet kryesore organike të institucioneve kushtetuese që mbulon komisioni, kodet dhe pjesë të tjera të legjislacionit shqiptar, shkrim dhe hartim të opinioneve për projektligje të fushës respektive të çdo komisioni. Urdhri nr. 2


Po në datën 7 prill, sekretari i përgjithshëm ka nxjerrë dhe një urdhër të dytë me numër protokollimi 965, i cili kësaj here përveç shërbimit legjislativ i drejtohet edhe shërbimit administrativ dhe atij të informacionit e dokumentacionit, duke përfshirë kështu thuajse pjesën dërrmuese të nëpunësve të këtij institucioni. Me anë të tij, punonjësit e këtyre shërbimeve njoftohen se brenda muajit dhjetor të këtij viti do t'i nënshtrohen një provimi lidhur me njohuritë mbi gjuhën angleze.


Siç edhe bëhet e ditur në fund të të dy urdhrave, rezultatet e këtyre testimeve do të jenë vendimtar mbi qëndrimin ose jo të çdo nëpunësi në detyrën që mban aktualisht. Por, në vetvete, këto lloj testimesh mbartin edhe një sërë dyshimesh, duke evidentuar një sërë problemesh të karakterit ligjor, por edhe subjektiv.


Kështu, së pari, nisur edhe nga praktika e njohur e "reformave" në administratën shtetërore shqiptare, lind natyrshëm shqetësimi se edhe ky proces testimi do të jetë në funksion vetëm të gjuetisë së shtrigave në administratën e Kuvendit, ku kryetares së këtij institucioni i jepet mundësia, së pari, për të spastruar radhët e punonjësve të saj nga ata që mund të kenë bindje të ndryshme politike, por edhe për të bërë të mundur rehabilitimin e organikës së fryrë së tepërmi të kësaj administrate para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.


Ndërkohë, nga ana tjetër përdorimi i rezultateve të këtyre testimeve si përcaktuese për vazhdimësinë e punës të secilit prej pjesëtarëve të shërbimeve përkatëse bie në kundërshtim me statusin e nëpunësit civil, i cili i garanton çdo individi të punësuar në administratë me konkurrim një lloj imuniteti karshi çdo tentative të gjuetisë së shtrigave.


Gjithashtu, kryerja e këtij testimi në këtë kohë për të matur njohuritë e gjithsecilit prej të nëpunësve të këtyre shërbimeve tregon qartë se rekrutimi i tyre në këto detyra nuk është bërë në bazë të rregullave dhe konkurrimit për fitimin e vendit të punës, por nëpërmjet mekanizmave të tjera joligjore dhe antimeritë.

Urdhri


Për të siguruar përmbushjen e detyrave me një cilësi më të lartë të parashikuar në përshkrimin e punës për secilin prej pozicioneve të stafit të shërbimit dhe për të evidentuar nivelin profesional stafi i shërbimi legjislativ do t'i nënshtrohet një testimi mbi njohuritë e domosdoshme që zotërohen dhe aplikohen prej tij në punën e përditshme


Urdhri i parë


Këshilltarët juridikë do të testohen mbi njohuritë e azhurnuara në lidhje me Kushtetutën, Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit, Ligjet kryesore organike të institucioneve kushtetuese, kodet dhe pjesë të tjera të legjislacionit shqiptar, përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së.


Këshilltarët juridikë do t'i nënshtrohen një provimi edhe për mënyrën e shkrimit ligjor dhe draftimin, hartimin e opinioneve ligjore mbi një arsyetim ligjor dhe përgatitjen e prapësimeve apo mbrojtjes ndaj kërkesave apo kërkesë padive.
Pjesë e këtij testimi do të bëhen edhe këshilltarët dhe sekretarët e komisioneve të përhershme parlamentare


Rezultatet e këtyre testimeve do të jenë vendimtar mbi qëndrimin ose jo të çdo nëpunësi në detyrën që mban aktualisht


Urdhri i dytë

Provimit do t'i nënshtrohet edhe shërbimi administrativ, ai i informacionit dhe dokumentacionit.
Punonjësit e këtyre shërbimeve njoftohen se brenda muajit dhjetor të këtij viti do t'i nënshtrohen një provimi lidhur me njohuritë mbi gjuhën angleze.


Rezultatet e këtyre testimeve do të jenë vendimtare mbi qëndrimin ose jo të çdo nëpunësi në detyrën që mban aktualisht

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›