E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Ramës: Hiq dorë nga kullat në shesh

Kryeministri tha dje se rindërtimi i sheshit "Skënderbej" duhet të bëhet sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës


TIRANË - Sheshi "Skënderbej" është rikthyer sërish në qendër të debateve dhe përplasjeve midis pushtetit qendror dhe Bashkisë së Tiranës edhe pse kjo e fundit prej ditësh ka nisur punimet për rikonstruksionin e sheshit.


Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, t'i përmbahet kërkesave që parashtron Instituti i Monumenteve të Kulturës, ashtu si 10 vite më parë kur ai ishte vetë iniciuesi i këtij propozimi me qëllim që sheshi "Skënderbej" të ruajë identitetin e tij kulturor.


Sipas Kryeministrit Berisha, duke qenë se sheshi qendror i Tiranës ka hyrë në ansamblin e monumenteve të kulturës, duhet që ai të ruajë identitetin e tij, duke përjashtuar ndërtimin e kullave apo piramidave në të.


"Instituti i Monumenteve të Kulturës bazuar në shqyrtimin e planit ka kërkuar heqjen dorë nga kulla, e cila bllokon apo ndan bulevardin 'Zogu i I' nga sheshi 'Skënderbej' dhe e shndërron atë në një rrugë qorre, i pret tërësinë e tij, sikundër shtrohet problemi edhe për kullat e tjera, për të cilat Instituti gjykon dhe vlerëson se janë një largim madhor nga identiteti i kompleksit", - tha dje Berisha.


Kreu i qeverisë vuri në dukje gjithashtu se sipas përcaktimeve që parashikon Instituti i Monumenteve duhet që Bashkia të mos ndërtojë piramida, pasi në këtë mënyrë sheshi largohet nga vlerat kulturore. Përpos kësaj kërkese, sipas tij, duhet që plani i Bashkisë t'i nënshtrohet edhe shqyrtimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.


"Instituti, e zezë mbi të bardhë, i thotë jo piramidës. Nuk ka asnjë mënyrë, e asnjë rrethanë sesi të marrë, sesi të formësohet një piramidë, e cila e kemi të qartë se çfarë të sjellë më vonë. Kullat sipas Institutit prishin, largojnë shumë nga identiteti, ansamblin e trashëgimisë.


I bëj thirrje zotit Rama, ashtu siç ka respektuar në rastin e parë ligjet e vendit po kaq e detyrueshme është për zotin Rama, për zotin Berisha dhe për secilin të zbatojë përcaktimin e këtij Instituti, i cili është gardian i zhvillimit dhe vlerave kulturore të vendit.


Së treti, ka një përcaktueshmëri të qartë në ligjet e urbanistikës së vendit, që është Kushtetuta, me të cilin ndërtohen të gjitha planet, të cilat e detyrojnë zotin Rama që ndryshimet e planeve të tilla të mëdha, që kapin sipërfaqe jo mbi 5000 m, por këto janë edhe mbi 15 000 dhe 20.000 m, duhet t'i nënshtrohet shqyrtimit të Këshillit Qendror të Rregullimit të Territorit", - u shpreh ai.


Numri një i pushtetit ekzekutiv lëshoi edhe akuza në drejtim të përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, duke thënë se mënyra sesi kjo e fundit po e rikonstrukton sheshin qendror, dëshmon për një konflikt të qartë interesi.


"Ata thonë se do të ndërtojnë kulla për të krijuar frymëmarrjen sheshit, por për mua sheshi frymëmarrjen e ka. Kjo i bën ata gjithnjë e më të pabesueshëm dhe dëshmojnë se ky plan është i ndërtuar mbi bazën e konfliktit të interesit, mbi bazën e fortë të interesit",- akuzoi Berisha.


Ai kërkoi që Bashkia, përveçse duhet t'i përmbahet përcaktimeve që rrjedhin nga Instituti, planin e saj për rindërtimin e sheshit duhet ta diskutojë edhe me grupe të ndryshme të interesit duke nisur që nga qytetarët e deri tek lobet dhe përfaqësuesit e zyrave të specializuara në këtë drejtim.


Sipas Berishës, Rama i ka kërkuar shpronësimin e sipërfaqeve që do të rikonstruktohen, por nga ana tjetër ai nuk ka marrë asnjë garanci për mënyrën e administrimit të trafikut në kryeqytet. "Kryetari i Bashkisë kërkon shpronësimin, nuk kam as edhe hezitimin më të vogël në këtë drejtim, por kam zero garanci për sa i përket trafikut.


Ajo unazë në vitin 2001 është parashikuar të jetë me pesë korsi, por u hoq dorë prej pesë korsive për shkak të një çmimi stratosferik të shpronësimeve që sillnin pesë korsitë. Për t'i dalë zot trafikut duhen katër unaza, ku janë unazat. Një unazë është, duhen edhe tre të tjera", - theksoi kreu i ekzekutivit.


Ai shtoi se pushteti qendror nuk synon të marrë kompetencat e pushtetit qendror, por kërkon nga kryetari Bashkisë, Rama që të bashkëpunojë me qeverinë për të zgjidhur këtë problem, përfshirë edhe çështjen e administrimit të trafikut. Për sa i përket përplasjes politike midis tij, kreut të opozitës, Edi Rama, për çështjen e transparencës së zgjedhjeve Kryeministri tha se çështja e kutive duhet lënë jashtë debatit për sheshin "Skënderbej".


"Unë i kam ofruar atij që të bëjmë një gjë madhështore për 100 vjetorin e pavarësisë, nuk bie dakord se nuk dihet rezultati i zgjedhjeve. Nuk dihet, se unë propozova sistemin elektronik dhe ai filloi ta kundërshtojë edhe atë. Nuk gjen karar ai. Këtë punës e votës e ka problem ai. Nuk kam çfarë t'i bëj. Ti lëmë ato. Me kutinë të merremi veçmas. Sheshin e Tiranës nuk mund ta bëjmë si kutia. Sheshi i Tiranës është sheshi i gjithë Shqipërisë", - përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›