E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kriza ekonomike po merr përmasa dramatike

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se leku është zhvlerësuar deri në 12

TIRANË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se ajo që po ndodh me ekonominë familjare në Shqipëri është dramatike.
Duke iu referuar shifrave konkrete, kryetari i opozitës theksoi se në periudhën dhjetor- mars ushqimet janë rritur 6-8%.


"Ndërkohë që të gjitha nëngrupet kanë rritje eksponenciale: zarzavatet deri në 45%, frutat deri në 25%, sheqeri deri në 15%, transporti 6%, arsimi 5%, furnizimi me ujë është shtrenjtuar në muajin mars 26%. Këto janë deklarimet zyrtare, por përtej këtyre deklarimeve zyrtare është edhe më shqetësuese ajo që po ndodh me energjinë elektrike.


INSTAT-i, siç është në traditën e tij të manipulimit dhe të fshehjes së shifrave dhe të dhënave reale, raporton një energji të shtrenjtuar 8 deri në 9 % në tre muajt e fundit, kur ERE e ka deklaruar rritjen e çmimit 13% dhe kur qytetarët e kanë provuar se në fakt faturat janë dy herë më të shtrenjta", - tha dje Rama. Ai shtoi se ajo që po ndodh është qesharake dhe e patolerueshme.


"Në kënetën e Durrësit kam takuar familjarë që jetojnë me një ndihmë ekonomike mujore më të ulët sesa faturat e energjisë. Të tilla familje ka në çdo realitet të Shqipërisë nga Tirana në Tropojë deri në Konispol.


Dhe të dhënat zyrtare më të fundit dëshmojnë diçka tjetër që i shtohet kuadrit dramatik të çështjes së energjisë elektrike në Shqipëri dhe të problemit të madh që kanë shqiptarët me furnizimin me energji elektrike në raport me çmimin që është se humbjet në sistemin energjetik shqiptar që në vitin 2009 kanë qenë 9% më të larta se në 2008.


Ndërkohë që konsumi i energjisë nga biznesi ka qenë po aq sa më para që do të thotë se ekonomia nuk ka prodhuar më shumë dhe nuk ka konsumuar më shumë", - tha ai. Rama shtoi gjithashtu se, rritja e eksporteve bazohet kryesisht në eksportet e energjisë elektrike dhe në faktin se leku është zhvlerësuar deri në 12%.


"Në dy muajt e parë të vitit 2010 importet gjithmonë në vlerë euro të makinerive dhe të pajisjeve kanë rënë 25%. Që është një mesazh shumë i qartë, për një të ardhme shumë të zymtë në muajt në vijim, ashtu si kundër importet e metaleve dhe të materialeve të ndërtimit kanë rënë 20% në dy muajt e parë të këtij viti në raport me dy muajt e parë të vitit 2009.


Që do të thotë se kemi të bëjmë përsëri me paralajmërimin për muaj më të zymtë në vijim, bashkuar kjo me rënien e kredisë për investimet mund të arrihet në konkluzion që në 6 muajt e ardhshëm, jo vetëm që nuk mund të presim ndonjë vend të ri pune, por do vazhdojmë të përjetojmë rritjen e papunësisë dhe mbylljen e vendeve të punës", - tha ai. Rama nënvizoi gjithashtu se nga qeveria nuk raportohet gjithashtu shtrenjtimi në 4 deri në 5 herë i shërbimit shëndetësor për 800 mijë persona të pasiguruar.


"Mjafton t'u them se ndërkohë që spitalet raportojnë rritje të të ardhurave dytësore, pra pagesat me para në dorë që bëjnë personat e pasiguruar, INSTAT-i i qeverisë thotë nuk ka shtrenjtim të shërbimit shëndetësor", - tha ai.


Rama: Votimi elektronik i mirë, por utopik

TIRANË - Duke mos e kundërshtuar në parim idenë për aplikimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se në kushtet e Shqipërisë kjo kërkesë mbetet utopike.


"Nuk kam asnjë kundërshtim në parim, por ne jetojmë në një vend, i cili është kaq larg rrugëve të zhvillimit, është kaq larg rrugëve të modernizimit saqë të hapësh një bisedë për këtë çështje, në kushtet që Shqipëria ka sot dhe në kushtet që Shqipëria mund të garantojë, është njësoj si të flasësh për seksin e engjëjve, ndërkohë që nga të katër anët ka vetëm shkatërrim, rrënim dhe kërcënim", - tha ai.


Dy ditë më parë, kryeministri Berisha, duke iu shmangur kërkesës kryesore të opozitës për hapjen e kutive, deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme do të votohej në mënyrë elektronike.


"Në Estoni, votimi elektronik është votim me internet dhe duke qenë Estonia së bashku me dy vendet e tjera baltike, në avangardë të zhvillimeve teknologjike, ku është e realizuar de facto shpërndarja e internetit në çdo skaj dhe në çdo shtëpi vetëm 15% e votuesve votojnë elektronikisht, kurse 75% të tjerë votojnë duke shkuar fizikisht në qendrën e votimit dhe duke futur fletën e votimit në kuti, pra është votim me internet në një vend që është avangardë në zhvillimin e internetit.


Ku e gjeni ju tani lidhjen mes eksperiencës së Shqipërisë dhe Estonisë? ku nuk ka asnjë shans të përfytyrohet shtrirja e internetit dhe garantimi i zgjedhjeve përmes internetit", - tha Rama, duke qartësuar se nuk ishte kundër një projekti të tillë, porse në Shqipëri ajo është një utopi e parealizueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›