E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, dëmtime në autostradë

DËMTIMET/ Pranë fshatrave Gëziq dhe Reps ka pasur probleme në pjesë të autostradës, ku kanë ndodhur shembje

Bëhet fjalë për një cedim prej më shumë se 40 centimetrash të tabanit të autostradës katërkalimshe

RRËSHEN - Vihen re dëmtime serioze në disa pjesë të autostradës Rrëshen - Kalimash e përkatësisht në afërsi të fshatrave Gëziq dhe Reps. Dëmtimet kanë ndodhur në segmentin e përfunduar katërkalimsh, deri në hyrjen e tunelit të Thirrës, i cili aktualisht rezulton i mbyllur për shkak të shembjeve të ndodhura në brendësi të tij.

Kështu, në afërsi të fshatit Gëziq vihet re një ulje e tabanit të autostradës katërkalimshe në njërën korsi në një gjatësi prej 100 metrash. Cedimi i tabanit në këtë aks rrugor i kalon 40 centimetrat, ndërkohë që gjithashtu vërehen edhe rrëshqitje përgjatë kësaj uljeje të tabanit të rrugës.

Gjithashtu, i njëjti problem është shfaqur edhe në një segment prej 100 metrash në afërsi të Repsit në tabanin e kësaj autostrade, si dhe rrëshqitje pothuajse identike si në pjesën e parë.

Kompania ndërtuese ka vënë tabelat sinjalizuese që paralajmërojnë rrezikun e shembjes, ndërsa makinat kalojnë me kujdes në afërsi të këtyre dy pjesëve.
Sipas disa ekspertëve që nuk duan të identifikohen, rrëshqitjet janë serioze dhe rikuperimi i këtyre pjesëve të rrugës do të ketë një kosto jo të vogël.

Lindjen e problemit për uljen e tabanit të autostradës, si dhe rrëshqitjen e saj, ekspertët e shohin në mungesën e studimeve serioze për anën gjeologjike të këtij tabani në jo pak pjesë të tij, kur dihet se në disa pjesë të rrugës në hone të thella është dashur të ndërhyhet edhe me mbushje të larta.

Ndërkohë, është e pamundur të merret informacion i mëtejshëm nga ekspertët e kompanisë ndërtuese të kësaj rruge, pasi tashmë ky segment quhet i përfunduar, ndërsa po punohet në shembjen e tunelit Thirrë-Kalimash, dhe duket se pjesa e përfunduar është lënë pas dore, pasi nuk ka dhe mirëmbajtje të saj.
Në këtë segment kalon një numër i kufizuar automjetesh, që kur ajo është mbyllur për shkak të punimeve në tunel.

Vetëm pak kohë më parë edhe pjesë të tjera të autostradës Durrës-Kukës shfaqën probleme të çarjes së asfaltit. Më e fundit ishte ajo e datës 28 dhjetor ku u regjistrua edhe shembja e bajpasit të qytetit të Kukësit, pjesë e kësaj autostrade. Shembja ndodhi në kohën që në vend pati shira të vazhdueshëm, teksa shembja ka vazhduar.

Bajpasi ishte vënë në funksionim prej vetëm dy muajsh. Ndërkohë, ende nuk dihet se cili do të jetë fati i autostradës së shumëpërfolur të vendit, teksa shumica e shqiptarëve presin prej kohësh përfundimin e saj aq shumë të trumbetuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›