Urdhri, në janar nuk do të ketë më mësues dispozicioni në shkolla
Jonida Tashi
Në fillim të vitit 2010, nuk do të ketë më mësues dispozicioni në shkolla. Për rrjedhojë, me mijëra mësues në dispozicion, që deri në fund të muajit dhjetor do të japin sërish ndonjë orë mësimi në shkolla, nuk do ta kenë më as këtë mundësi. Ky është urdhri që Ministria e Arsimit u ka dërguar së fundi të gjitha drejtorive arsimore të vendit, në mënyrë që të marrin masat përgatitore për zbatimin e tij, duke filluar që nga muaji i parë i vitit që vjen. Ndonëse ky urdhër ende nuk është publikuar zyrtarisht nga dy dikaster, tashmë drejtuesit e drejtorive arsimore e kanë më se të qartë se duhet të udhëzojnë vartësit e tyre që tani. Vetëm në Drejtorinë Arsimore të Tiranës numërohen rreth 4 mijë mësues në dispozicion, pjesa më e madhe e të cilëve çdo ditë gjendet në dyert e këtij institucioni, për të gjetur ndonjë orë të lirë mësimi në shkollat e kryeqytetit, qoftë edhe në ato që gjenden në periferi të tij. Largimi i mësuesve të dispozicionit nga shkollat ka ardhur si pasojë e zgjatjes së orarit të punës së arsimtarëve, të cilët tashmë do të zbatojnë të njëjtin orar pune si punonjësit e administratës.
Urdhri
Sipas urdhri të ri, të hartuar specialistët e Ministrisë së Arsimit, “mbulimin” e orëve të dispozicionit do ta bëjnë vetë mësuesit e shkollës. Për të realizuar këtë, shkollat do të realizojnë një rishpërndarje të re emërimeve, sipas planeve të caktuara mësimore që ato kanë. Për të mos krijuar përplasje ndërmjet klasave, rregullimi i orëve do të bëhet në mënyrë individuale nga secila shkollë pas marrjes në dorëzim të urdhrit specifik. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës bëjnë të ditur se largimi i mësuesve të dispozicionit do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit 2010, kohë në të cilën është parashikuar të nënshkruhen dhe kontratat e reja kolektive të punës mes Sindikatës së Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit, ku një ndër pikat kryesore do të jetë edhe pezullimi i orëve të dispozicionit dhe punësimi i mësuesve nëpërmjet kontratave të rregullta. Me nisjen e efektit zyrtar të zbatimit të urdhrit të ri, për heqjen e mësuesve të dispozicionit, mungesa e arsimtarëve në mësim do të zëvendësohet nga vetë mësuesit e shkollës, pasi nuk do të ketë më orë mësimi të lira. Sakaq, arsimtarët që do të detyrohen që krahas orëve të caktuara mësimore të japin edhe ato të dispozicionit, do të përzgjidhen nga emërimet, në bazë të vjetërsisë së punës në arsim. Ende nuk dihet se si do të pritet ky vendim nga punonjësit e arsimit parauniversitar në institucionet publike të vendit, por për të frenuar një qëndrim negativ nga ana e tyre, Ministria e Arsimit ka parashikuar që duke filluar që nga tre mujori i parë i vitit 2010, të ketë një tjetër rritje pagash për kategoritë e mësuesve, e cila do të jetë në funksion të shtimit të orëve mësimore të mësuesve.
Kontrata
Kontrata e re e punës kolektive për punonjësit arsimorë që ka nis të hartohet në fillim të vitit të ri shkollor do të nënshkruhet po në fillim të vitit 2010. Ndonëse baza e kontratës kolektive do jetë ajo e vjetra, në të do të përfshihen edhe disa ndryshime të propozuara jo vetëm nga kjo Sindikata e Arsimit, por edhe nga vetë Ministria e Arsimit. Pikësëpari, shkak për nënshkruarjen e kontratës së kolektive të punës në arsim është bërë përfundimi i asaj aktuales, e cila mbaron në fund të këtij viti. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Sindikata e Arsimit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit kanë vendosur që të bëjnë disa ndryshime në të, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e arsimit parauniversitar. Ndër pikat kryesore që janë diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës, është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të jetë për katër vjet. Por, deri në mbyllje të këtij viti, mësuesit do të vijojnë të punojnë me kontratat ekzistuese. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. Po ashtu, një pikë tjetër që Sindikata e Arsimtarëve do t’i japë tepër prioritet për t’u përfshirë në kontratën e re do të jetë edhe lëvizja e mësuesve, për të frenuar lëvizjen e vazhdueshme të arsimtarëve sa nga një shkolla në një tjetër, për mungesë të emërimeve definitive. Më tej, një kërkesë tjetër, jo pak e dëshiruar nga arsimtarët në vend, që Sindikata e Arsimit do t’i parashtrojë Ministrisë së Arsimit është edhe rritja e pagave të mësuesve.
Propozimet për kontratën e re
Rritja e kohëzgjatjes së ushtrimit të profesionit e cila pritet të jetë për katër vjet
Rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve
Përmirësimi i kushteve të emërimit të mësuesve të rinj
Rritja e pagave për të gjithë punonjësit mësimorë
Certifikim të mësuesve të kualifikuar
Ulja e viteve të vjetërsisë në punë
Gripi, 100 mungesa në ditë te gjimnazi “Partizani”
Vetëm brenda një ditë në gjimnazin “partizani” në kryeqytet kanë munguar mbi 100 nxënës që kanë shfaqur simptoma të gripit. Shifra jo pak alarmante është bërë e ditur nga vetë drejtoresha e kësaj shkolle, Luljeta Basha. “Çdo mësues jep informacion nëse e ndjejmë që nxënësit janë vërtet me probleme, sepse janë të dallueshme shenjat e një gripi. Japim informacion të detajuar çdo ditë në drejtorinë arsimore, në mënyrë që edhe ata të jenë në dijeni të gjendjes nëpër shkolla. Nga fillimi i javës pati një numër të madh nxënësish të sëmurë, numër që ka ardhur duke u ulur. Ditët e fundit numri i mungesave ka shkuar nga 120 në 90”,- tha Basha. Tashmë në shkollën e mesme “Partizani” në Tiranë, mësuesit janë bërë si mjekë, pasi japin informacione dhe kur shohin nxënës të sëmurë i largojnë për në shtëpi. Ndërkohë që pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në gjimnazet e tjera të kryeqytetit, të cilët janë mëse të mbipopulluar me nxënës. Çdo ditë në Drejtorinë Arsimore të Tiranës këta gjimnaze raportojnë mungesat dhe kërkojnë shtim të detergjenteve në shkolla. Ndërsa dy herë në javë në secilën prej shkollave të mesme të kryeqytetit paraqitet një mjek për të bërë vizita nëpër klasa. Ndërsa nxënësit thonë se ambientet e mbyllura dhe të vogla nëpër klasa shtojnë më shumë mundësitë për t’u prekur nga gripi.
Aktualisht në vendin tonë po qarkullojnë njëkohësisht dy viruse, ai pandemik, A/H1N1 dhe gripi sezonal, i cili këtë vit, sipas specialistëve, është shfaqur me komplikacione më të mëdha.
23 Nentor 2009